Abdixhiku i shpreh ngushëllime familjes Gashi për ndarjen nga jeta të ish-boksierit Nazif Gashi
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka shprehur ngushëllime të sinqerta për familjen Gashi me rastin e ndarjes nga jeta të ish-boksierit të njohur kosovar, Nazif Gashi, një prej figurave më të respektuara të sportit të boksit në vend.
Në telegramin e tij, Abdixhiku u shpreh se lajmi për vdekjen e Gashit është pritur me pikëllim të thellë, duke e vlerësuar atë si një emër të madh të sportit kosovar dhe një ikonë të gjeneratës së artë të boksit të Prishtinës.
“Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të ish-boksierit të njohur, Nazif Gashi, një emër i madh i sportit kosovar dhe ikonë e gjeneratës së artë të boksit të Prishtinës”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai theksoi se Nazif Gashi ka lënë gjurmë të pashlyeshme në sportin kosovar, duke e bërë vendin krenar me paraqitjet e tij të jashtëzakonshme dhe me shpirtin luftarak që frymëzoi gjenerata të tëra sportistësh.
“Kontributi i tij do të mbetet i paharrueshëm, jo vetëm në ring, por edhe në kujtesën e gjithë atyre që e njohën”, shtoi ai.
Në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe në emrin e tij personal, Abdixhiku u shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjes Gashi, miqve dhe gjithë komunitetit sportiv për humbjen e madhe.
“I lehtë i qoftë dheu i Kosovës”, përfundon mesazhi i tij ngushëllues. /Kosova.info/
