AAK vazhdon fushatën në Pejë, Haradinaj bën thirrje për dalje në zgjedhje
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka vazhduar fushatën zgjedhore në komunën e Pejës, ku kryetari i saj dhe kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj, ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive në zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe përkrahje për subjektin që ai drejton.
Gjatë tubimit me simpatizantë, Haradinaj prezantoi programin qeverisës të AAK-së, duke deklaruar se ai bazohet në tri shtylla kryesore: qëndrueshmëri dhe trashëgimi, mirëqenie dhe zhvillim ekonomik, si dhe siguri dhe integrim euroatlantik.
Haradinaj foli edhe për kontributin e tij në ndërtimin e Ushtrisë së Kosovës, duke theksuar se kjo ka qenë një nga punët më të rëndësishme dhe më sfiduese gjatë angazhimit të tij politik. Ai tha se themelimi dhe forcimi i ushtrisë është një proces i pakthyeshëm dhe i përhershëm, i ndërtuar me mbështetjen e aleatëve ndërkombëtarë, përfshirë NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kandidati për kryeministër i AAK-së u ndal edhe te çështjet që, sipas tij, kanë mbetur të parealizuara gjatë mandatit të kaluar si kryeministër, duke theksuar se synon t’i përmbushë ato gjatë qeverisjes së ardhshme.
Në përfundim të tubimit, Haradinaj u bëri thirrje qytetarëve të Pejës që të marrin pjesë në zgjedhje dhe të mbështesin Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Haradinaj në Istog premton investime në shëndetësi, arsim dhe energji
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka mbajtur tubim elektoral edhe në komunën e Istogut, ku kandidati i saj për kryeministër, Ramush Haradinaj, ka prezantuar zotimet kryesore për investime në shëndetësi, arsim, ekonomi, mbrojtje, bujqësi dhe fusha të tjera me rëndësi për zhvillimin e vendit.
Gjatë tubimit me simpatizantë, Haradinaj theksoi se programi i AAK-së është i realizueshëm dhe i orientuar drejt përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve. Ai deklaroi se çdo familje, përfshirë bujqit, pensionistët dhe nënat, do të përfitojë nga politikat e tij qeverisëse.
Haradinaj vuri theks të veçantë në sektorin e energjisë, duke paralajmëruar projekte që, sipas tij, do të sigurojnë energji me çmim më të përballueshëm për qytetarët dhe bizneset. Ai tha se ndërtimi i kapaciteteve të reja energjetike, përfshirë centralet me gaz, do të ndikojë drejtpërdrejt në stabilitetin ekonomik të vendit.
Kandidati për kryeministër i AAK-së theksoi gjithashtu se siguria dhe integrimi euroatlantik mbeten prioritet, duke deklaruar se në të gjithë territorin e Kosovës do të zbatohet Kushtetuta dhe se synimi strategjik i vendit mbetet anëtarësimi në NATO, me mbështetjen e aleatëve ndërkombëtarë.
Haradinaj shtoi se, nëse vjen në krye të qeverisë, Istogut do t’i sjellë projekte konkrete që i mungojnë, në bashkëpunim me deputetët e kësaj zone.
Në kuadër të tubimit, AAK prezantoi edhe gjashtë kandidatët për deputetë nga Istogu, të cilët u cilësuan si përfaqësuesit më të denjë të kësaj komune në Kuvendin e Kosovës.

