AAK: Tërheqja e parave nga Trusti ide e jona – Megjithatë e përkrahim nismën e Bekim Haxhiut

Nisma e deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës Bekim Haxhiu që qytetarëve të Kosovës t`iu lejohet tërheqja në shumën prej 30 për qind nga kursimet në Trust, sipas të gjitha gjasave nuk do të mbetet vetëm ide (propozim).

Partia që drejtohet nga ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në parim është “PËR”, ani pse thonë se kjo ide e deputetit të PDK-së ishte e AAK-së.

Besnik Tahiri shef i Grupit Parlamentar të AAK ka thënë se ishte kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj që me 21 shkurt kishte kërkuar që qytetarëve të Kosovës t`u lejohet tërheqja e një shumë të caktuar nga Trustri.

Kjo ishte kërkesa e Haradinajt:

“Haradinaj kërkon që urgjentisht të lejohet tërheqja e një pjese të parave nga Trusti
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kërkuar që qytetarëve t’u mundësohet edhe njëherë tërheqja e një pjese të kursimeve personale në trustin pensional.
Haradinaj ka kërkuar që urgjentisht të aprovohet një vendim i tillë.
“Qytetarët në Kosovë janë në një situatë tejet të vështirë ekonomike e sociale. Shtrenjtimi i artikujve elementarë për jetesë, ka shtyer shumë kategori që të përballen gjithnjë e më shpesh me mbijetesën ekonomike. Prandaj e konsideroj si hap të parë urgjent, aprovimin e një vendimi që lejon qytetarët të tërheqin një përqindje të caktuar të mjeteve nga trusti pensional”, ka shkruar ai.
Haradinaj konsideron se përveç kësaj, Qeveria duhet të marrë edhe masa tjera.
“Situata është e jashtëzakonshme, prandaj edhe vendimet duhet të jenë të jashtëzakonshme. Natyrisht krahas kësaj mase, qeveria duhet të mendojë edhe për masa të tjera, në këtë kohë vështirë të përballueshme për qytetarët”, ka shtuar ish-kryeministri.
Haradinaj i është përgjigjur edhe një komentuesi, i cili ka thënë se nuk është përqindja e madhe e atyre që kanë trust.
“Leonard keni të drejtë kur thoni se përqindja e atyre që kanë trust është e vogël. Po ata që kanë trust i kanë edhe disa anëtarë pas vetes. Dhe fundja duhet bërë diçka. Situta është e jashtëzakonshme, prandaj edhe vendimet e masat duhet të jenë të jashtëzakonshme!”, ka shkruar ai.

Por Tahiri ka pasur edhe një konfirmim për këtë që ka thënë shefi i tij.

“Unë si shef i GP të AAK-së e konfirmoj qëndrimin tonë”, ka thënë Besnik Tahiri.

Ndërkohë deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Bekim Haxhiu, më datën 9 mars ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës.

“Unë nismën për tërheqjen e Trustit deri në 30 për qind e kam dorëzuar më 09 mars në Kuvend në formën e projektligjit”, kishte thënë Haxhiu.

Aktualisht nuk ka ndonjë qëndrim zyrtar pas kërkesës së Haxhiut, por para 9 marsit ka pasur kundërshtime nga partia që është në pushtet për këtë ide, por edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Armend Muja nga VV kategorikisht ka kundërshtuar idenë e tërheqjes së një pjese të kursimeve nga Fondi Pensional.

Në një vijë me Mujën ka qenë edhe ish kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, i cili po ashtu ka dal kundër një nisme të tillë, qoftë në Kuvend apo edhe përmes Qeverisë së Kosovës.

Go to TOP