A do të ndodhë fitorja e Ukrainës mbi parimet e Klauzeviqit
Shkruan: Fadil KAJTAZI
Ajo që po shohim në terrenin e luftës në Ukrainë, fushata po ngjet atyre të Karlit XII të Suedisë, nga 1699 -1715, të Napolonit me 1812 dhe të Hitlerit me 1941. Që të gjitha këto fushata për ta pushtuar Rusinë dështuan nga ajo që konstatonte Klauzeviq: “Të gjitha fushatat që janë dalluar nga taktika e fitimit të kohës, synojnë kryesisht asgjësimin e kundërshtarit nga vet përpjekja e tij. Në një numër të madh rastesh ky parim ka dhënë ndihmesën kryesore, ndonëse shumë pak përmendet”.
Ky konstatim mbështetet në atë që Klauzeviq e quan “tërheqje strategjike” përmes së cilës arrihet që të shkrihet ushtria armike në hapësirën e madhe territoriale siç ishte në këtë rast Rusia. Nga kjo analizë gjenerali Kutuzov konstatonte: “500.000 ushtarë të Napolonit kaluan Niemanin; 130.000 luftuan në Moskova; 90.000 hynë në Moskë. E gjithë kjo forcë do të shkrihet pa mua”.
Natyrisht se ky parim nuk vlen gjithnjë, pasi jo të gjitha vendet kanë mundësi tërheqjeje me mijëra kilometra dhe të kenë prapavijë tw pa pushtuar.
Pozicionimi frontal i ushtrisë së Ukrainës do të ishte i pa efekt dhe fatal, pasi ushtria ruse kishte në dispozicion forca me mundësi të madhe manovrimi, qw do të organizonte goditje të përqendruar, e cila ushtrinë ukrainase do ta linte jashtë luftimit, njëjtë sikur ushtria gjermane e cila i doli në prapavijë asaj franceze, duke e lënë jashtë luftimit të pozicionuar në fortifikimet e Manzhinos.
Potenciali sulmues i Rusisë, në raport me hapësirën gjeografike të Ukrainës, lejon zbatimin nga Ukraina të strategjisë së shkrirjes në hapësirë të ushtrisë ruse, pa rrezikuar prapavijën. Në vazhdim, mjafton që qeveria të ruaj kohezionin në mes të ushtrisë, popullsisë dhe aleatëve.
Ndarja në pjesë të vogla e ushtrisë ruse në hapësirën e madhe gjeografike të Ukrainës po ndodhë. Mobilizimi i forcave çeçene është dëshmi se ushtria ruse po tretet. Ukrainasve ju mbetet t’i sulmojnë pa reshtur, dhe siç thotë Klauzeviqi: “… harxhimi i forcave bëhet aq i madh, saqë nuk përputhet me vlerën e qëllimit politik, ky qëllim duhet lënë dhe duhet nënshkruar paqja”.
Natyrisht Putin është i paparashikueshëm; egoja e tij është përtej çdo logjike. Nuk duhet neglizhuar përmbushjen e egos së tij me hakmarrje duke përdorur armatim nuklear, apo bombardim tapet të qyteteve të mëdha ukrainase.
