A ndikoi Agim Veliu edhe në humbjen e LDK-së në Vushtrri?

Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e fundit lokale dëshmoi një rikthim të fortë pas rënies së thellë që pësoi në zgjedhjet e 14 shkurtit, por përçarja që pasi pas ‘përjashtimit’ të Agim Veliut nga lidershipi në parti dhe në degën e Podujevës, bënë që të mos mund kthehet pushteti i humbur në këtë komunë. Përveç kësaj, Veliu, ish nënkryetar i LDK’së, duket të ketë pasur ndikim edhe në humbjen e Vushtrrisë.

Xhafer Tahiri, nuk mundi ta mbajë drejtimin e Komunës së Vushtrrisë më shumë se një mandat, edhe pse shihej favorit në zgjedhjet e fundit lokale, sidomos në raundin e parë të tyre.

Humbja e tij pretendohet se erdhi nga disa faktorë, por njëri prej tyre, e ndoshta ndër më të rëndësishmit, vlerësohet të jetë mosuniteti i strukturave të degës në këtë komunë.

Tre asamblistët e LDK-së në Vushtrri që dolën kundër partisë dhe qëndruan në sallë për t’i bërë PDK’së kuorumin gjatë zgjedhjes së kryesuesit të Kuvendit Komunal, thuhet se janë të afërt me Agim Veliun, i cili është në një konflikt tashmë edhe të hapur me kryetarin e ri të LDK’së, Lumir Abdixhiku.

Dy ditë më parë media raportoi se u konstituua Kuvendi Komunal në Vushtrri, por për ta zgjedhur kryesuesin e Partisë Demokratike, u përfshinë edhe tre asamblistë të Lidhjes Demokratike.

Agron Përçuku, Alban Bajrami e Behar Duraku, qenë tre asamblistët e LDK-së, që morën pjesë për ta zgjedhur Melihate Basholli Latifin e PDK-së, në krye të Kuvendit Komunal.

Të tre, Përçuku, Bajrami e Duraku në seancën e parë të zgjedhjes së kryetares votuan kundër qëndrimeve të partisë së tyre dhe i dhanë përkrahje PDK-së.

Gazeta mëson prej burimeve të veta se këta tre, qëndrojnë në linjë me Agim Veliun, dhe të njëjtit kishin punuar kundër rizgjedhjes së Xhafer Tahirit për kryetar të Vushtrrisë. Ata thuhet se janë persona shumë të afërt me Veliun dhe djalin e tij, Naser Veliu.

Ferit Idrizi, tash kryetar i Vushtrrisë nga PDK-ja, mori 13.181 vota përkundër Tahirit të LDK-së që ka marrë 11.627 vota. 

Go to TOP