Kurti: Nuk jam në dijeni se BE ka vërejtje për 6 kushtet e mia, duhet të flas me Bislimin
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se nuk është në dijeni që BE-ja ka vërejtje për 2 nga 6 kushtet e tij për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Kurti tha para gazetarëve të mërkurën se ndoshta duhet të takohet me zëvendësin e tij, Bislimi, për të diskutuar se cilat janë ato vërejtje.
“Unë nuk jam në dijeni për ndonjë vërejtje të tillë, mbase duhet ta takoj zëvendësin tim e ta shoh se çfarë komunikimi ka pas me vendet e BE-së por ato 6 kushte, 6 parime janë të tilla që mundësojnë që Asociacioni të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, të mos jetë monoetnik, të kemi reciprocitet të pakicave kombëtare pasi që derisa në Kosovë janë rreth 4 për qind pakica, në Serbi nuk mund ta ketë më shumë se 80 për qind serb. Mandej strukturat ilegale duhet të shuhen e çarmatosen në veri por nuk duhet harruar që është e domosdoshme që presidenti i Serbisë t’i tërheqë ato 5 letra që ia ka dërguar vendeve anëtare të BE-së duke e shkelur edhe marrëveshjen më të dashur të tij të 19 prillit 2013”, tha Kurti.
Ndryshe, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, javën e kaluar kishte thënë se BE-ja i ka vërejtjet e saj në 2 kushte dhe për atë do të duhej të pyetej emisari Lajçak.
“Gjashtë kushtet që ka propozuar Kurti, në fakt janë parakushte që tregojnë se mund të diskutohet për mekanizmin e avancuar të mbrojtjes së të drejtave të minoriteteve. Bashkimi Evropian ka vërejtjet e saj në dy kushte, por se cilat janë ato dhe pse ka vërejtje mund ta pyesni z. Lajçak kur është në Prishtinë”, kishte thënë Bislimi të mërkurën e javës së kaluar.
