Arrestohen dy fajdexhinj në Ferizaj
Më datën 24 janar të këtij viti, Policia Rajonale e Ferizajt, përkatësisht Sektori Rajonal i Hetimeve, kishte pranuar një informacion nga një 54-vjeçar, i cili ka deklaruar një rast të fajdesë që ka ndodhur në Ferizaj.
Policët hetues të Sektorit Rajonal të Hetimeve i kanë marrë të gjitha masat e nevojshme dhe nën autorizim të prokurorit nga Prokuroria Themelore në Ferizaj i kishin nisur hetimet.
Policia ka njoftuar se nga hetimet e para, intervistimit të viktimës është mësuar se dy persona i kishin dhënë fajde një shumë prej njëzet mijë euro, për ta detyruar atë t’ia kthejë shumën prej shtatëdhjetë e tre mijë eurove, edhe pse deri më tani shumën prej gjashtëdhjetë mijë eurove viktima ua kishte paguar të dyshuarve.
Pas hetimeve, Policia ka arrestuar dy persona, 50 dhe 49 vjeç.
“Pas një pune intensive hetimore, grumbullimit të informacioneve në terren, pas zbatimit të masave të fshehta të vëzhgimit dhe mbledhjes së provave të nevojshme, hetuesit rajonalë i kanë identifikuar e më pas sot, datë 10.02.2023, i kanë arrestuar dy të dyshuarit: A.G. (M/K) i moshës 50-vjeçar dhe F.G. (M/K) i moshës 49-vjeçar, të cilët i kanë shoqëruar në Policinë Rajonale të Ferizajt, përkatësisht në Sektorin Rajonal të Hetimeve dhe pas intervistimit nga policët hetues, me vendim të prokurorit të rastit, dërgohen në mbajtje për 48 orë për procedura të mëtejme hetimore me dyshimin se kanë kryer veprën penale ‘Fajdeja’”, thuhet në njoftim.
