Kurti thotë se nuk ofruam asgjë në shkëmbim për heqjen e barrikadave, ato u hoqën nga frika

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Policia e Kosovës do të ndërhynte para festës së Vitit të Ri për t’i hequr barrikadat, nëse ato nuk do të hiqeshin.

Ai ka thënë se KFOR-it iu dha koha e nevojshme dhe e kërkuar për heqjen e tyre.

Kryeministri Kurti ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk e dëshironte ndërhyrjen policore.

“Policia jonë do të ndërhynte para Vitit të Ri, nëse nuk do të tërhiqeshin barrikadat. Ne i dhamë kohë KFOR-it që ta bënte këtë. Ne nuk e donim ndërhyrjen e Policisë”, ka thënë ai për Zërin e Amerikës.

Kurti ka deklaruar se është mirë që ata të cilët i vendosën barrikadat, i hoqën vet.

“Bindja ime është që ata i vendosën barrikadat nga frika dhe nga frika edhe i kanë hequr”, ka deklaruar tutje ai.

Kurti ka thënë se Serbia është vend armik në veri. Ai ka thënë se Kosova nuk duhet të përfundojë në qëndrim vetëfajësues.

“Duhet ta kuptojmë që në veri e kemi një shtet armik, që nuk e ndryshon kushtetutën, me ato bazat ofensive. Do të ishte gabim i madh të hyjmë në tezën e vetëfajësimit, kur kemi një Serbi”, deklaruar tutje ai.

“Kemi pasur komunikime me ambasadën amerikane, ambasadorët e QUINT-it e sidomos me KFOR-in e EULEX-in, por ne s’kemi ofruar asgjë në shkëmbim, përveç kohës shtesë për KFOR-in dhe gjithashtu ishte e qartë që ato barrikada u ngritën nga struktura ilegale të Serbisë që u shndërruan në banda kriminale pikërisht në kohën kur ne u dakorduam që t’i shtyjmë për prill të vitit 2023 zgjedhjet në 4 komunat në veri. Në një mënyrë, atëherë kur ne e bëmë një koncesion, ata i ngritën barrikadat sepse kishin ngelur pa pretekst”, është shprehur Kurti në VOA

Go to TOP