Kërcënohen dy gjyqtarë të Gjykatës Themelore në Prishtinë nga një i dënuar
Jo rrallëherë ka pasur incidente në gjykatat e vendit, qoftë para ose pas seancave apo edhe gjatë zhvillimit të tyre. Palët që marrin pjesë në seanca shpesh përfshihen në konflikte verbale për çka nevojitet ndërhyrja e Policisë. Por ka raste kur edhe personat që janë në vuajtje të dënimit kanosin gjyqtarët.
Një rast i tillë ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Podujevë, ku dy gjyqtarë e kanë denoncuar një të dënuar, i cili dyshohet se i ka kërcënuar, me ç’rast iu ka shkaktuar shqetësim.
Sipas informacioneve të para, posa Policia ka marrë informacionin për rastin, ka dalë në vendin e ngjarjes, ku janë marrë deklaratat nga gjyqtarët, të cilët kanë treguar detajet e ngjarjes.
Pasi edhe Prokurori i Shtetit është vënë në dijeni për rastin, ka marrë vendim për nisjen e hetimeve për veprën penale “Kanosje ndaj personit zyrtar.”
