Çka tha sot Haki Abazi?
Deputeti I LVV-së, Haki Abazi, ka mbajtur konferencën e radhës, përcjell Syri net Kosova.
Abazi ka folur për tri tema kyqe në mesin e të cilave ishin: Përgjegjësia institucionale dhe shpërfaqja e dështimit në rastin e dhunës dhe vrasjeve të grave; Dialogu i ri dhe krizat në Veriun e vendit dhe Sigurimi jetësor për policët dhe ushtarët e Kosovës.
Sipas Abazit, rasti i fundit I vrasjes së gruas shtatzënë nga ish- burri është thirrja me urgjencë e krijimit të një trupe kombëtare, e cila do të duhej të vishej me përgjegjësi për të monitoruar funksionimin e personave përgjegjës dhe institucioneve përkatëse në zbatimin e detyrave dhe përgjegjësive të tyre ligjore.
“Rasti i fundit është thirrja me urgjencë e krijimit të një trupe kombëtare e cila do të duhej të vishej me përgjegjësi për të monitoruar funksionimin e personave përgjegjës dhe institucioneve përkatëse në zbatimin e detyrave dhe përgjegjësive të tyre ligjore. Është e qartë tani më se nuk mund t’I lihet individit në vullnetin e tij apo të saj për të zbatuar ligjin. Qytetarët sidomos gratë e Kosovës janë të pambrojtura dhe në mëshirën e askujt, jo që grave ju duhet mëshira, por mbrojtja institucionale, preventiva është e domosdoshmë për të siguruar që ato të jenë në gjendje të bëjnë jetën normale dhe të barabartë”, është shprehur ai.
Po ashtu, lidhur me temën tjetër të konferenës, Abazi u shpreh se tejkalimi momental i krizës për targat nuk do të thotë në asnjë mënyrë që kriza në Veri nuk do të kthehet prap. Sipas tij Serbia nuk do të ndaloj së tentuari që të paraqes Veriun si krizë permanente dhe për të dëmtuar interesin ekonomik të Kosovës.
“Tejkalimi momental i krizës për targat nuk do të thotë në asnjë mënyrë që kriza në Veri nuk do të kthehet prap. Serbia nuk do të ndaloj së tentuari që të paraqes Veriun si krizë permanente dhe për të dëmtuar interesin ekonomik të Kosovës duke frikësuar investitorët që të vijën këtu, por para së gjithash do të vazhdoj të përdorë Veriun, për t’i ikur presionit ndërkombëtar për mos vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, sidomos tani kur sulmet mbi Ukrainën janë shtuar edhe për nga intensiteti dhe dimensioni i dëmeve dhe kjo do të vërehet edhe më shumë në sezonën e ftohtë të dimrit”, tha ai mes tjerash.
Postimi i Haki Abazi:
Konferenca për media
Përgjegjësia institucionale dhe shpërfaqja e dështimit në rastin e dhunës dhe vrasjeve të grave
Dialogu i ri dhe krizat në Veriun e vendit
Sigurimi jetësor për policët dhe ushtarët e Kosovës
I. Përgjegjësia institucionale dhe shpërfaqja e dështimit në rastin e dhunës dhe vrasjeve të grave
Dhuna dhe vrasjet e grave në Kosovë janë bërë pjesa më e tmerrshme e përditshmërisë sonë. Pavarësisht nga vlerësimet se ky fenomen është pasojë e kulturës patriarkale apo pasojë e traumave apo sëmundjeve tjera mendove apo tranzicionit të shpejtë me shumë të panjohura për shoqërinë tonë, kjo në asnjë formë nuk e zbeh përgjëgjësinë dhe dështimin e thellë institucional që shoqëria jonë po e përjeton për çdo ditë.
Rasti i fundit është thirrja me urgjencë e krijimit të një trupe kombëtare e cila do të duhej të vishej me përgjegjësi për të monitoruar funksionimin e personave përgjegjës dhe institucioneve përkatëse në zbatimin e detyrave dhe përgjegjësive të tyre ligjore. Është e qartë tani më se nuk mund t’I lihet individit në vullnetin e tij apo të saj për të zbatuar ligjin. Qytetarët sidomos gratë e Kosovës janë të pambrojtura dhe në mëshirën e askujt, jo që grave ju duhet mëshira, por mbrojtja institucionale, preventiva është e domosdoshmë për të siguruar që ato të jenë në gjendje të bëjnë jetën normale dhe të barabartë.
Të gjithë ne sot do të duhej të zgjohemi me lajmin se kanë ndodhur dorëheqje dhe shkarkime në institucionet të cilat kanë përgjegjësinë ligjore për të mbrojtur viktimën. Nuk ka asnjë arsye më që të merremi me arsyetime dhe aa konferenca, por duhe të kemi veprime me pasoja të drejtpërdrejta, nëse një grua ka humbur jetën bashkë me foshnjën e saj. Përveç se kryerësi i krimit të sillet para drejtësisë, para publikut, duhet të qartësohet linja e përgjegjësisë dhe hallka e këputur e zinxhirit institucional.
Janë mbi një mijë seanca gjyqësore të anuluara vetëm në javën e parë si rezultat i protestës së pashpallur nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës, si pasojë e zvogëlimit të pagave të tyre në projektligjin për pagat të miratuar nga Qeveria e Kosovës.
Funsionimi I dobët I gjykatave tani ka kaluar në paralizë të plotë të sistemit gjyqësor. Pasojat e kësaj situate janë të dukshme meqë afektojnë njerëzit që janë në paraburgim, rastet gjyqësore që janë në fazën e parashkrimit, dhe posaqërisht sinjali që ju dërgohet keqbërësve dhe këqpërdoruesve, të cilët e shohin e këtë paralizë si mundësi për të vazhduar me veprimet e tyre antiligjore. Mosndëshkimi dhe mundësia për të shtyer lëndët është një ndër faktorët kryesor që dhuna sot është në rritje. Edhe pse dështimi në systemin e gjyqësisë në rastet e dhunës ndaj grave nuk e shfajëson fare pjesën e policiës dhe institucioneve tjera korrektuese e sociale, të cilat janë duke dështuar në vazhdimësi.Veprimet duhet të jenë urgjente, me efekt të menjëhershëm dhe nuk duhet më në asnjë moment të lejohet situatat në të cilën jemi tani. Nuk mjafton të alarmohemi vetëm pas tragjedive.
II. Dialogu i ri dhe kriza në Veri të vendit
Tejkalimi momental i krizës për targat nuk do të thotë në asnjë mënyrë që kriza në Veri nuk do të kthehet prap. Serbia nuk do të ndaloj së tentuari që të paraqes Veriun si krizë permanente dhe për të dëmtuar interesin ekonomik të Kosovës duke frikësuar investitorët që të vijën këtu, por para së gjithash do të vazhdoj të përdorë Veriun, për t’i ikur presionit ndërkombëtar për mos vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, sidomos tani kur sulmet mbi Ukrainën janë shtuar edhe për nga intensiteti dhe dimensioni i dëmeve dhe kjo do të vërehet edhe më shumë në sezonën e ftohtë të dimrit.
Natyrisht që duhet të jemi në përkrahje të plotë të njësiteve të policisë së Kosovës, që janë duke ofruar siguri për të gjithë në Veri e paoshtu të ju falënderohemi trupave të NATOs dhe EULEX-it, por gjendja në Veri kërkon unifikim, planifikim, gjithëpërfshirje të spektrit politik dhe qasje të re përbrenda fazës së ardhshmë të dialogut e që pas gjendjes të krijuar në Veri, ky dialog më nuk është i njejti. Nga këtu i bëjë thirrje Kryeministrit që delegacioni për dialog të jetë gjithpërfshirës dhe në dialog me qytetarët e vendit.
Mbajtja e zgjedhjeve në Veri edhe pse sipas kushtetutës dhe ligjit kërkohet një gjë e tillë, do të jetë një mundësi e radhës që Serbia të ngrit tensione dhe të tregoj fuqinë e vetë, duke i parandaluar të gjithë serbët që të marrin pjesë në këto zgjedhje. Siç e kemi parë edhe në rastin e targave, përshkallëzimi i tensioneve nuk na shkon për shtati dhe pamundëson adresimin e çështjeve praktike siç janë pagesat për energjinë elektrike në Veri. Andaj, emërimi i z.Nenad Rashic si Ministër në Qeverinë e Kosovës është vendim i duhur por jo i mjaftueshëm për të adresuar problemetg sistematike dhe interferimin e Serbisë në Veri. Mendoj që z. Rashic duhet të përfshihet edhe në ekipin e dialogut të ri me Serbinë. Gjatë vizitës në Kosovë të Ministrit të Punëve të Jashtme dhe të Ministrit të Mbrojtjes së Italisë, në mes tjerash është ofruar që Roma të luaj rol aktiv në dialogun Kosovë-Serbi dhe poashtu avancim të marrëdhënieve drejt përkrahjes së Italisë për anëtarësim të Kosovës në NATO. Kjo mundësi duhet të përfshihet në diskutimet serioze që duhet të zhvillohen rreth dialogut të ri me Serbinë të kornizuar sipas planit franko-gjerman.
III. Sigurimi jetësor për policët dhe ushtarët e Kosovës
Sipas agjendës së punës së Kuvendit, me 15 dhe 16 dhjetor, Projektligji për Buxhetin per vitin 2023 do të vijë për lexim të dytë. Kërkesa për sigurim jetësor të policisë dhe pjestarëve të ushtrisë së Kosovës duhet të përfshihet në këtë projekt-buxhet. Të gjitha rrethanat për të cilat fola më lartë e bënë kërkesën për sigurim jetësor urgjencë të patejkalueshme, për të siguruar që burrat dhe gratë që shërbejnë në policinë dhe ushtrinë e Kosovës, të jenë të sigurtë që nëse ndodhë ndonjë gjë, ata dhe familja e tyrë të jenë të siguruar se nuk do të përfundojnë në varfëri e të harruar nga shoqëria dhe shteti.
