Shfaqen thirrje në Veri “rezistencë në çdo hap” nga grupi kriminal “Brigada e Veriut”
Grupi paramilitar i quajtur “Brigada e Veriut”, për të cilin kanë raportuar mediat kosovare ka filluar të shfaqet çdo ditë e më shumë më Veri të Mitrovicës.
Tashmë janë shpërndarë edhe grafitë e shkrime të ndryshme në pjesë të qytetit, duke kërkuar nga qytetarët rezistencë dhe duke i siguruara se ata janë në mbrojtje të tyre.
“Rezistencë në çdo hapë”, thuhet në një nga grafitet.
Në Serbi po raportohet se kjo situatë mund të trajtohet si “forcim i daulleve të luftës”.
Frika është se situata mund të eskalojë në momentin kur policia e Kosovës në Veri do të fillojë me vendosjen e gjobave prej 150 euro për të gjithë ata shoferë që vozisin vetura me tabela ilegale.
Derisa pritet një zgjidhje në Bruksel për këtë çështje, politikanë në radikalë në Serbi po kërkojnë që serbët e Kosovës të mos kthehen më fare në institucione dhe të mos u binden organeve të Kosovës, por të formojnë një strukturë krejtësisht paralele.
“Serbët në Kosovë nuk kanë zgjidhje tjetër veçse t’i rezistojnë shtetit të Kosovës, në të njëjtën mënyrë që shqiptarët i kanë rezistuar shtetit të Serbisë me dekada, pra me të gjitha llojet e bojkoteve, bllokadave, protestave, institucioneve paralele”, deklaron Boshko Obradoviç, lider i “Dveri”.
Josep Borell, përfaqësues i lartë i Bashkimit Evropian, ka njoftuar se pikërisht çështjen e veriut do ta diskutojë me diplomatët evropianë në Këshillin e Ministrave. Gjithashtu pohoi, para takimit, se tashmë BE ka bërë një propozim për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin serb Aleksandër Vuçiç, se si të zgjidhet situata në Veri.
Kush është grupi “Brigada e Veriut”
Mosha mesatare e tyre është rreth të 30-tave, dhe tashmë kanë nisur patrullimet në zona të caktuara.
Patrullimi, siç mëson AP, bëhet kryesisht natën.
Raporti i inteligjencës i cilëson ata si kërcënim akut për sigurinë dhe rendin në Kosovë.
Një pjesë e tyre konsiderohen që nuk janë me origjinë nga Kosova, por janë të ardhur nga Serbia, mbase edhe nga Republika Serbe e Bosnjë dhe Hercegovinës.
Pavarësisht që një pjesë e tyre lënë përshtypjen se mund të jenë nën ndikimin e alkoolit dhe substancave tjera, nga ana taktike konsiderohen që zotërojnë përgatitje të theksuar ushtarake.
Kush qëndron prapa tyre?
Të gjitha indikacionet çojnë drejt Bossit të grupit me inicialet M.R., që drejton nga ski-rezortet në Kollashin.
Megjithatë, sipas burimeve diplomatike, e kanë komentuar raportin e EULEX-it, organizime dhe lëvizje të tilla të formacioneve të armatosura, nuk mund të ndodhin pa një aprovim të heshtur nga autoritetet e Serbisë.
Burimet diplomatike të AP shprehin shqetësimin që elementë pro-rus, brenda strukturave shtetërore të Serbisë dhe jo vetëm, janë duke u angazhuar në funksion të përshkallëzimit, me synim final një konfrontim të armatosur.
Në rast të kësaj të fundit, ky zhvillim doemos që do të përfshinte edhe trupat e NATO-së në Kosovë.

