Ikja e qytetarëve të Kosovës drejt perëndimit, sociologu: Paga minimale prej 250 euro s’do t’i ndalë hiç
Numri i madh i qytetarëve që po migrojnë nga Kosova, po vazhdon të jetë çështje shqetësuese për të ardhmen e vendit.
Faktorët që po ndikojnë në bindjen e të rinjve që të ikin nga vendi, herë vetë e herë së bashku me familjet e tyre, tashmë janë bërë të shumtë.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, dje ka deklaruar se Qeveria Kurti po ndërmerr shumë masa për të zbutur problemin e ikjes nga vendi.
Ndër të tjerash, ai ka folur edhe për Projektligjin për Pagën Minimale, për të cilin ka thënë se me ngritjen e pagës minimale në 250 euro, do të zgjidhet një pjesë e problemit.
“Pra në këtë sekuencë kam fol VETËM për Projektligjin për Pagën Minimale që zgjidh një pjesë të problemit, por asnjëherë se ky Projektligj është zgjidhja. Për zgjidhjen kam fol në të njëjtën intervistë kam cekë edhe masat e shumta që Qeveria Kurti po ndërrmerr që ta zbusin problemin e ikjes nga vendi”, ka shkruar ai pasi që ka thënë se një pjesë e deklaratës së tij është interpretuar gabim në media.
Krejt ndryshe nga deputeti i partisë në pushtet po mendon sociologu Jeton Brajshori.
Në një prononcim për lajmi.net, ai ka thënë se rritja e pagës minimale nuk ndikon aspak në dukurinë e migrimit me të cilën po përballet Kosova.
“Sa i përket ngritjes së pagës minimale në 250 euro kjo aspak nuk do të ketë ndikim në pasojat e migrimit, apo që t’i ndalojë të rinjtë të migrojnë në vendet perëndimore”, ka thënë Brajshori.
Ai ka thënë se janë një sërë faktorësh që po tërheqin qytetarët për të migruar jashtë vendit për “një jetë më të mirë”.
“Të rinjtë janë duke u prirë nga faktorët ‘push’ edhe ‘pull’, apo t’i themi shqip ‘shtytës’ dhe ‘tërheqës’. Pra, secili nga ne po synon që të bëjë një jetë më të mirë dhe në këtë mënyrë janë këta faktorë që na tërheqin për arsye se kemi një edukim më të mirë, një shëndetësi të sigurt, kemi një pagë më të dinjitetshme dhe çka është më e rëndësishme që në vendet perëndimore edhe nëse punon në sektorin privat, atje të paguhen të gjitha kontributet dhe ke kontratë pune, gjë që nuk po ndodh fatkeqësisht tek ne”, ka deklaruar ai.
Ai ka thënë se paga prej 250 eurove vështirë se do të mjaftojë edhe për një qytetar të vetëm.
“Unë nuk besoj se kjo do të ndikojë apo ndalojë fluksin e migrimit të jashtëm për arsye se me 250 euro nuk mundet personi ta kalojë vetë muajin, e lëre të jetë familjar apo të planifikojë të bëjë familje”, ka thënë Brajshori.
Kujtojmë se sipas të dhënave zyrtare të ASK-së, vetëm gjatë vitit 2021 nga Kosova kanë ikur mbi 42 mijë qytetarë.
