Mustafa: Edi Rama mbrojti Kosovën në KE, derisa udhëheqësit tanë po mbrojnë kolltukët e tyre

Ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka reaguar pas fjalimit të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Asamblenë e Këshillit të Evropës ku përmendi raportin e Dick Martyt, mbi të cilin është themeluar edhe Gjykata Speciale në Hagë, ku po mbahen edhe ish-liderët e UÇK-së nën dyshimet për krime lufte, të cilat sipas Ramës, asnjëherë nuk janë vërtetuar se kanë ndodhur.
Përmes një postimi në Facebook, Mustafa ka deklaruar se sot në Asamblenë e Këshillit të Evropës u tha një e vërtetë e madhe nga goja e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

“Sot, ai ishte zëdhënës me plot dinjitet i të vërtetës për Kosovën dhe luftëtarët e saj të lirisë. Edi meriton përkrahjen dhe falënderimin tonë, të atyre që e duan dhe nuk e duan, sepse ai foli me argumente, kurse disa nga ne na ka kapluar urrejtja dhe inati primitiv”, ka shkruar Mustafa.

Ai ka thënë se Rama është vënë në mbrojtje të Kosovës, ndërsa ka deklaruar se “udhëheqësit tanë (të Kosovës) po mbrojnë kolltukët e tyre”.

Postimi i plotë:

Në Asamblenë e Këshillit të Evropës u tha një e vërtetë e madhe nga goja e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Sot, ai ishte zëdhënës me plot dinjitet i të vërtetës për Kosovën dhe luftëtarët e saj të lirisë.

Edi meriton përkrahjen dhe falënderimin tonë, të atyre që e duan dhe nuk e duan, sepse ai foli me argumente, kurse disa nga ne na ka kapluar urrejtja dhe inati primitiv. Edi u vu në mbrojtje të Kosovës, derisa udhëheqësit tanë po mbrojnë kolltukët e tyre.

Go to TOP