Amerikanët këshillojnë Vucic: “Harroje narrativën se Kosova është Serbi dhe kaloni në atë që të dyja jeni Evropë…”
I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Ecobar, tha në një intervistë për N1 se ai mendon se fillimi i një përmirësimi të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është në horizont.
“Dhe duhet të them se takimi mes Presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti ishte vërtet i mirë, shumë profesional dhe i qetë. Ishte inkurajuese të shihje atë nivel të hapjes në praninë e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së Borrell dhe z. Lajçak”, tha ai. Escobar tha se ata e inkurajuan Prishtinën që të jetë më konstruktive dhe fleksibile dhe se e sheh se ka vullnet për këtë. Ai ndër të tjera tha se askush nuk duhet të lëndohet për shkak të targave dhe se të dy palët duhet të fokusohen në zgjidhjet evropiane. “Mendoj se duhet të harrojmë narrativën se Kosova është Serbi dhe të kalojmë në atë që Kosova dhe Serbia janë në të vërtetë Evropë”, ka theksuar ai.
Në një intervistë për N1, ai ka thënë se ka ardhur me mesazhin se ka shqetësim të madh në bashkësinë ndërkombëtare për përshkallëzimin e mundshëm të dhunës për shkak të masave të ndërmarra nga qeveria e Kosovës.
“Gjatë vizitës sime në Prishtinë, Mitrovicë dhe Beograd, kam krijuar përshtypjen se të gjitha palët janë të përkushtuara për të gjetur një zgjidhje paqësore për këtë krizë. Dhe ky është mesazhi që do t’i dërgoj Uashingtonit: besoj se të dyja palët do të gjejnë një zgjidhje kompromisi që do t’i mundësojë popullit të Kosovës të jetojë në paqe”, tha Escobar.
I pyetur nëse ka paraqitur ndonjë propozim për zgjidhjen e çështjes së dokumenteve personale dhe targave, ai ka thënë se Shtetet e Bashkuara nuk janë pjesë e procesit të negociatave që po zhvillohet nën patronazhin e Bashkimit Evropian. “Procesi udhëhiqet nga Bashkimi Evropian dhe ne e mbështesim atë proces, kështu që të gjitha propozimet dhe rekomandimet vijnë nga BE-ja”, shtoi ai.
Kur u tha se mori pjesë në procesin e negociatave në Bruksel, ai tha se nuk ishte pjesë e negociatave dhe se ishte aty vetëm si mbështetje. “Roli im ishte të inkurajoja të dyja palët që të ishin konstruktive dhe fleksibël, të dërgoja një mesazh se SHBA-të e mbështesin plotësisht këtë proces dhe se është një proces me rëndësi të madhe për komunitetin euroatlantik dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Por përveç kësaj, dua të them se ky proces është shumë i rëndësishëm edhe për SHBA-në, si dhe se ne jemi të përfshirë në të dhe se do të insistojmë në zbatimin e zgjidhjeve që dalin nga ky proces. Gjithashtu, ne do të kërkojmë mënyra për të krijuar mundësi që do të ofrojnë mbështetje politike dhe ekonomike, do të çojnë në ngritjen e kapaciteteve dhe do të na lejojnë të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i bërë këto zgjidhje të funksionojnë për të dyja palët”, thotë Escobar.
Ambasadori Hill tha se pala serbe ishte e përgatitur mirë, ndryshe nga pala tjetër.
I pyetur nëse kjo ishte edhe përshtypja e tij, ai thotë: “Negociatat janë aktualisht në një fazë shumë të ndjeshme. Pra, nuk dua të fajësoj askënd, sepse, të jem i sinqertë, gjithçka filloi në Bruksel dhe mendoj se kemi bërë një rrugë të gjatë që atëherë. Përderisa kemi një zgjidhje paqësore, të zbatueshme dhe të realizueshme, e cila nuk e ndërlikon jetën e qytetarëve të Kosovës, veçanërisht atyre në veri të Kosovës, mendoj se nuk do të kemi problem. Edhe unë jam optimist, besoj se do t’ia dalim”.
