Krasniqi: Në betejën mes veteranëve dhe Qeverisë nuk ka fitues, të dyja palët janë humbëse

Dardan Krasniqi, ish-luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ka thënë se veteranët e luftës nuk kanë luftuar as për 170 as për 200 euro, kanë luftuar për dinjitet dhe çlirimin e vendit.

Krasniqi  ka thënë se në këtë betejë mes veteranëve dhe Qeverisë së Kosovës nuk sheh fitues.

“Të dyja palët janë humbëse”.

Ai ka thënë ndër të tjera që beteja kryesore e veteranëve është mosinstrumentalizimi i kësaj çështjeje në baza politike.

“Protesta është diçka që e mbështes unë, secili deputet ka të drejtë të mbështesë një kauzë, por njerëz që kanë votuar Gjykatën Speciale, që kanë votuar Demarkacionin, dhe e kanë shkelur UÇK-në, e kanë shkelur veteranin e luftës, dalin dhe e instrumentalizojnë për 170-200 euro këtë çështje”, ka shtuar Krasniqi.

Sipas tij, qeveritë e kaluara kanë varfëruar veteranët, krerët e UÇK-së i kanë dërguar në Hagë, duke e instrumentalizuar këtë betejë të veteranëve për prapavija politike.

Ai ndër të tjera ka thënë se UÇK nuk përmendet në asnjë infrastrukturë ligjore.

“Ky diskurs është i instrumentalizuar për prapavija që e kanë sjellë veteranin të ikë nga vendi, të bëjë vetëvrasje, ligji për kategoritë e luftës duhet të ndryshojë, pastrimi i listave është i domosdoshëm, por para pagës të trajtohet dinjitetshëm veterani, sepse kështu kanë pësuar familjet e dëshmorëve”, ka përfunduar Krasniqi.

Go to TOP