1 hektar mal prehet në ditë, Prishtina i ka veç 5 roje
Veç kuletës së qytetarëve, kriza energjetike i tëholloi edhe pyjet e Kosovës. Alarmet për shtrenjtim të rrymës gjatë dimrit nxitën prerjen më të madhe të drunjve.
Organizata ‘Sustainability Leadership Kosova’ thotë se degradimi i pyjeve po ndodh vazhdimisht, saqë vlerëson se çdo ditë në vend prehet nga një hektar mal.
Për mungesë kapacitetesh ankohen edhe mbrojtësit direkt të pyjeve. Inspeksioni prishtinas tash i ka pesë roje pylli, por thotë se i duhen më shumë për t’i mbikëqyrur 10 mijë hektarë mal të shtetit.
Musli Halimi nga Departamenti i Pyjeve thotë se këtë vit kanë hasur në mbi 20 raste të prerjes ilegale të malit në Prishtinë, teksa Rimanishta është një nga zonat më e dëmtuara.
Për ta kthyer jetën e gjelbër, institucionet kanë ndërmarrë aksione të mbjelljes së fidanëve, por ekspertët thonë se më me rëndësi se kjo është ruajtja e atyre ekzistues.
