Disa të plagosur në një stacion metroje në Nju Jork
Disa persona janë qëlluar mëngjesin e së martës në një stacion metroje në Bruklin, Nju Jork, tha Departamenti i Zjarrfikësve.
Associated Press, duke u thirrur në burime brenda institucioneve ligjzbatuese, raportoi se pesë persona janë qëlluar në stacionin e metrosë.
Zjarrfikësit dolën në rrugën afër metrosë pas raportimeve për zjarr dhe gjetën se disa persona ishin qëlluar dhe po ashtu gjetën pajisje të pashpërthyer, tha zëdhënësi i Departamentit të Zjarrfikësve në Nju Jork.
Associated Press duke u thirrur në burime që kanë njohuri me hetimin e kësaj ngjarjeje, tha se informacionet paraprake sugjerojnë se një i dyshuar ishte veshur me rroba të punëtorëve ndërtimorë.
Një fotografi nga skena shfaqi njerëz që ndihmonin pasagjerët e gjakosur të cilët ishin të shtrirë në stacionin e metrosë.
Detaje të tjera nuk janë bërë publike. Policia e qytetit të Nju Jorkut tha se po i përgjigjeshin raportimeve për disa persona të plagosur ose me armë zjarri apo nga ndonjë shpërthim.
Si pasojë e kësaj ngjarjeje, trenat në këtë stacion janë vonuar gjatë mëngjesit të së martës.
