Ish-ambasadori Dedaj reagon pas “zëvendësimit” të Prindon Sadriut
Ish-ambasadori Kosovës në Maqedoni të Veriut, Gjergj Dedaj i ka reaguar ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvallës e cila gjatë ditës së sotme ka njoftuar se Prindon Sadriu për pak kohë nuk do të jetë në udhëheqje të Ambasadës së Kosovës në Shkup.
Në një konferencë për media ministrja e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, Donika Gërvalla ka treguar se janë përzgjedhur tre ambasadorë në Turqi, Maqedoninë e Veriut dhe në Norvegji.
Gërvalla, nuk i ka zbuluar emrat e ambasadorëve të propozuar për tri përfaqësitë diplomatike të Kosovës. Ka thënë se momentalisht, ata janë “konfidencial”.
Bashkëshorti i presidentes Vjosa Osmani e mban pozitën e të ngarkuarit të përkohshëm si shef i Misionit Diplomatik në Shkup që prej shkarkimit të ish-ambasadorit, Gjergj Dedaj, rreth një vit më parë.
Lidhur me këtë ish-ambasadori Gjergj Dedaj ka thënë se përkundër faktit që ka mandat ligjor deri më 31 dhjetor ai është shkarkuar kundërligjshëm dhe për interesa familjare të Presidentes Osmani.
“Ne radhe te pare, une kam mandat ligjor deri me 31 dhjetor 2022, ndonese jam shkarkuar kunderligjshem dhe per interesa nepotiste te presidentes Osmani, per t’a vene bashkeshortin e saje ne poziten time, si ne vendet tiranike dhe diktatoriale,duke shkelur ligjin, keqeperdorur pushtetin dhe etiken institucionale”, ka shkruar Dedaj në Facebook.
Tutje ai ka kërkuar nga organet e drejtësisë që t’i japin përgjigje lidhur me padinë e ti të cilën e ka bërë lidhur me shkarkimin që sipas tij është tendencioz dhe i kundërligjshëm.
“Se dyti organet e drejtesise, do duhej te me japin pergjegje ne padine time ne gjykate, perkitazi me shkarkimin tim tendencioz, te kunderligjshem dhe antikushtetues, dhe me pastaj te caktojne ambasadorin ne Shkup”, ka shkruar tutje ai.
Ndërkohë ish-ambasadori ka deklaruar se nuk është në dijeni se kush është personi i cili po tenton t’ia marrë pushtetin sipas tij në mënyrë të paligjshme. Ai i ka bërë thirrje që të mos e pranojë këtë emërim deri sa të përfundojë emërimi i Dedajt, pra deri më 31 dhjetor dhe deri sa të marrë përgjigje nga drejtësia kosovare.
“Se treti, nuk jam ne dijeni se kush eshte ajo apo ai, i cili pretendon te ozurpoje padrejtesisht poziten time, mu per kete i sugjeroj qe mos te pranoje kete emerim dhe kete mos ta beje deri me 31 dhjetor 2022, sa zgjate mandati im si dhe derisa te marr pergjigje nga drejtesia kosovare”.
Ndër të tjera Dedaj ka thënë se shkarkimi i 12 ambasadorëve të Kosovës nga pushteti aktual është një veprim i rrezikshëm i cili do t’i hapte rrugë qeverive të tjera që sa herë të ndërrohen qeveritë të ndërrohen edhe ambasadorët. Sipas tij kjo është vrasje e diplomacisë.
“Shkarkimi i 12 ambasadorve brilant te Kosoves nga pushteti aktual, ka krijuar precedent te rrezikshem, duke hapur rruge dhe mundesuar sa here qe te nderrohen qeverite, te nderrohen ambadadoret, kjo eshte vrasje e diplomacise! GjD”, ka përfunduar Dedaj.
