Raportohet se Biden do të zhbllokojë një pjesë të rezervave afgane

Mediat amerikane thonë se presidentit, Joe Biden, do të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv më 11 shkurt, për të zhbllokuar rreth 7 miliardë dollarë të rezervave afgane, që ishin ngrirë pasi talibanët morën kontrollin e shtetit gushtin e vitit të kaluar.

Disa media kanë cituar zyrtarët amerikanë, që janë në dijeni me këtë vendim, të kenë thënë se kjo lëvizje nga presidenti Biden do të lejojë që gjysma e rezervave të përdoren si ndihmë për afganët, por talibanët nuk do të lejohen që të kenë qasje në këto para.

Gjysma tjetër e rezervave do të qëndrojë në Shtetet e Bashkuara. Këto rezerva do të përdoren për të financuar dëmshpërblimin e viktimave amerikane të terrorizmit, përfshirë edhe për pretendimet ndaj talibanëve nga familjet e viktimave të sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001 në SHBA.

Biden do ta nënshkruajë urdhrin ekzekutiv më 11 shkurt. Shtëpia e Bardhë nuk ka komentuar menjëherë për raportimet e mediave.

Shtëpia e Bardhë po përballet me presion për të zhbllokuar fondet për të ndihmuar afganët, të cilët po përballen me krizë ekonomike dhe financiare, që po kërcënon mbi gjysmë e popullsisë me uri.

Gjatë kësaj jave, zyrtarët talibanë po mbajnë bisedime në Gjenevë me organizatat ndërkombëtare, për të kërkuar qasje në ndihmën humanitare, që është ndaluar, pasi qeveria de fakto në Kabul nuk është njohur nga asnjë qeveri në botë, për shkak të shqetësimeve për të drejtat dhe liritë e njeriut.

Afganistani ka mbi 9 miliardë dollarë rezerva, përfshirë edhe mbi 7 miliardë dollarë rezerva që mbahen në SHBA. Pjesa tjetër e rezervave gjenden në Gjermani, Emiratet e Bashkuara Arabe, Zvicër dhe Katar.


Go to TOP