Qytetarët duhet ta dinë se nuk janë edhe aq të pafuqishëm në raport me politikanët

Shkruan: Ejup BERIShA

Rregull numër një në jetën reale të njerëzve është se të njëjtët duhet t’ia dinë hallin vetes, kjo nënkupton që këta duhet të jenë i vetëdijshëm për forcën reale që e kanë në shoqëri dhe në shtet.

Kur këta janë të vetëdijshëm për këtë çështje atëherë më lehtë e kanë ta kuptojë se në çfarë pozicioni ndodhen dhe çfarë mund të bëjnë realisht për veten në raport me njerëzit e tjerë flas për raportet shoqërore që i kanë apo dhe do ti krijojnë në të ardhmen me njerëzit e tjerë. Njeriu i vetëm ndoshta është qenie shumë e dobët dhe e parëndësishme por nëse një numër i konsiderueshëm i tyre i bashkojnë forcat dhe mundësitë e tyre në raport me njerëzit apo dhe grupacionet e tjera të njerëzve atëherë këta do të mund të fitojnë aftësi dhe mundësi për të vepruar më me sukses dhe më me efikasitet. Pra njeriu i vetëm nuk është askush, por i bashkuar me njerëzit e tjerë ai mund të bëhet dikush, kjo nënkupton se bashkimi e bën fuqinë. I vetëm ndonjëherë edhe luani, por dhe elefanti mund të munden fizikisht por të bashkuar edhe buburrecët mund të bëhen shumë më të fortë dhe të jenë më fitues. Në kohërat më të lashta buburrecët kishin qenë në hall nga një njeri tepër i madh dhe tejet i fuqishëm i cili i mbyste ata gjatë lëvizjeve që i bënte i njëjti në tokë. Me një rast buburrecët të shqetësuar dhe të hidhëruar u tubuan për ta shqyrtuar gjendjen e tyre të vështirë e të rrezikshme dhe për ti ndërmarrë masat për t’iu shmangur rrezikut në të cilin ndodheshin. Me këtë rast këta u morën vesh që të ankohen deri te Perëndia përmes njërit prej të dërguarve të tij i cili thuhet se kishte aftësi që ta kuptonte gjuhën e insekteve dhe kafshëve. Ky i fundit buburrecëve u premtoi se do t’ia përcjellë shqetësimin e tyre Perëndisë. Dhe kaluan disa muaj pas ankimit që e bënë këta dhe rreziku për buburrecët akoma vazhdonte tanimë me intensitet më të shtuar. Sërish një ditë buburrecët u konsultuan që ti drejtohen Perëndisë përmes të dërguarit të tij në tentimin e tyre dëshpërues që të shpëtonin nga e keqja e madhe që i rrezikonte shumë. I dërguari i të madhit Zot sërish u zotua dhe buburrecëve u premtoi se do t’ia përcjell shqetësimin e tyre Perëndisë. Dhe këta pritën edhe ca muaj dhe gjendja e tyre vazhdoi të jetë e njëjtë si zakonisht e vështirë dhe e rrezikshme. Dhe kur e panë buburrecët se nuk ka shpresë për ta i pari apo udhëheqësi i tyre i ftoi të gjithë buburrecët nga janë dhe nga nuk janë nëpër botë që të mblidhen dhe të organizohen me qëllim që vetë këta ta zgjidhin problemin e tyre. Dhe thuhet se pasi që u mblodhën të gjithë buburrecët e u bënë bashkë me një lëvizje të përbashkët e të vendosur e përmbysën njeriun gjigant që i shkelte e i mbyste pa mëshirshëm. Do të thotë se bashkimi e bën fuqinë e fuqia i zgjidh çështjet sado të vështira që të jenë ato për dikë. Kur jemi te forca e qytetarëve në raport me politikanët sot këta të dytët politikanët janë forcuar shumë në raport me qytetarët a e dini pse sepse qytetarët janë shumë të përçarë mes vete. Dhe sot jo vetëm se politika që i përçan njerëzit konform asaj thënies së njohur Divida et impera por edhe vetë njerëzit preferojnë të rrinë dhe të veprojnë të përçarë e të pa bashkuar mes vete. Kjo gjendje i shkon përshtati politikanëve por është shumë e dëmshme dhe e rrezikshme për qytetarët të cilët janë të rrezikuar nga forca shumë e madhe e akumuluar te politikanët. Kështu ndodhë nëse politikanëve u lejohet hapësirë shumë e madhe për ta shtrirë forcën dhe ndikimin e tyre në mënyrë të pakontrolluar pa kundërshtuar dhe pa bërë rezistencë qytetarët. Dhe duke e pa reagimin e ashpër të politikanëve ndaj qytetarëve është krijuar përshtypja se qytetarët janë shumë të dobët në raport me politikanët duke qenë se ata të parët nuk mund të bëjnë asnjë kundërshtim dhe rezistencë kundrejt politikanëve. Kjo është tregues se qytetarët janë dorëzuar dhe nuk janë të vetëdijshëm për forcën reale që e kanë në shoqëri dhe në shtet. Rreziku për politikanët nuk duhet të vijë nga forca reale e qytetarëve si rezultat i ndonjë konfrontimi fizik i ndërmarrë nga ana e qytetarëve ndaj tyre por qytetarët duhet përdorur mundësi dhe mjete të tjera politike demokratike që realisht i kanë në betejën e tyre kundër politikanëve. P.sh. qytetarët kanë të drejtë të zgjedhjes në periudha të caktuara kur mbahen zgjedhjet. Pra në to ka gjasa që qytetarët për një çast të bëhen faktorë shumë të rëndësishëm dhe të fuqishëm politik dhe shoqëror duke fituar mundësi për ti eliminuar politikanët e këqij dhe të pandërgjegjshëm nga pushteti. Pra kjo nënkupton se më lehtë politikanët mund ta humbin pushtetin nga qytetarët në zgjedhje sesa qytetarët zgjedhës që mund ta humbin te drejtën e tyre zgjedhore të garantuar me kushtetutë dhe me ligje si akte më të larta juridike. Prandaj nuk thuhet kot se sovrani në politikë janë qytetarët e jo politikanët. Pra te ne në bazë të kushtetutës së RMV-së sovraniteti politik rrjedh nga qytetarët dhe ky u takon atyre pra qytetarëve. Vetëm këta duhet të dinë se si dhe kur duhet të veprojnë kundër politikanëve flas për ata politikan të cilët janë bërë të pavetëdijshëm dhe që nuk mbajnë llogari për interesat nevojat dhe kërkesat e qytetarëve në politikë. Prandaj qytetarët duhet ta dinë se nuk janë edhe aq të pafuqishëm në raport me politikanët por këta duhet të dinë të veprojnë më me mençuri dhe më me vetëdije kundrejt politikanëve ndërsa paraprakisht këta duhet të bashkohen mes vete.

Go to TOP