Referendumi serb në Kosovë

Shkruan: Fadil KAJTAZI

Përkrahja e referendumit të Serbisë në Kosovë nga SHBA dhe BE është pasojë e klasës politike të Kosovës e cila nuk diti të ruaj, mbaj dhe mirëmbaj miqësinë me vendet perëndimore, veçanërisht me SHBA.

Faji për këtë ju përket të dyja blloqeve politike në Kosovë. Blloku politik PDK, LDK, AAK i cili e ka doktrinë ruajtjen e këtyre marrëdhënieve, ishte inert në prezantimin afirmimin e vlerave dhe rëndësisë strategjike që ka ruajtja e këtyre marrëdhënieve. Pos kësaj, ata nuk ruajtën vazhdimësinë e rrjetit të lobingut që ishte krijuar me vështirësi në SHBA dhe Evropë që nga vitet 1970. Ku përpos se nuk u mirëmbajt dhe nuk u rifreskua, ai pas vitit 2006, edhe u la në harresë.

Blloku tjetër politik, që përfaqësohet nga VV, kishte doktrinë përzënien e bashkësisë ndërkombëtare nga Kosova. Përhapja e antiamerikanizmit dhe raportet konfrontuese me administratën amerikane, sidomos kjo e fundit me refuzimin e gazit, ka bërë që Zoti Kurti dhe Vjosa Osmani, nuk mund të trokisnin në sa një derë në SHBA për t’i qarë hallet e Kosovës së vogël e të varfër.

Kryeministri Kurti dhe Vjosa Osmani kanë obligim kushtetues që të ruajnë rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, dhe duhet ta pengojnë mbajtjen e referendumit serb në territorin e Kosovës.

Nëse Vjosa Osmani që ndali financimin e fondacionit Voker, në fjalimin e saj vjetor në Kuvendin e Republikës deklaron se “marrëveshja e Uashingtonit cenon Kushtetutën e Republikës së Kosovës” tani le ta mbrojë ajo këtë kushtetutë, është komandante supreme e Ushtrisë se Kosovës dhe burrin e ka strateg ushtarak me gradën korrlonel.


Go to TOP