Boroci: Ka pas dakordim për bashkëqeverisje LDK-AKR në Prishtinë, por s’u formalizua
Asamblisti i AKR-së, Sami Boroci, ka thënë se Kuvendi Komunal i Prishtinës është vonuar shumë me zgjedhjen e kryesuesit.
Ai ka thënë se Fehmi Kupina, që është zgjedhur kryesues sot, është një profil i respektuar i cili e njeh qeverisjen dhe pjesën administrative të komunës së Prishtinës.
Por, AKR-ja nuk ka marrë pjesë në seancën ku është votuar për zgjedhjen e tij për disa arsye.
“Ne sot nuk e kemi votuar zgjedhjen e Fehmi Kupinës, sepse e para nuk ka pas një dakordim me LDK-në edhe përkundër disa takimeve që janë zhvilluar më herët. Nuk ka pas marrëveshje të formalizuar e cila do të mund ta bënte shumicën në Kuvend. Ka pas stërzgjatje të negociatave dhe ende nuk kemi drejtorë të emëruar. Edhe konstalacioni i forcave – LDK dhe PDK – nuk e përbën prapë shumicën në Kuvend. Mendoj që kjo sot ka krijuar vështirësi në zgjedhjen e kryesuesit, por në raundin e tretë me shumicë të thjeshtë të votave është zgjedhur kryesues Fehmi Kupina”.
“Një arsye tjetër për të cilën ne nuk kemi marrë pjesë në seancën e sotme dhe është pakënaqësi e jona që e kemi shprehur edhe në kuvend është edhe mohimi i të drejtës për të qenë pjesë e Komitetit për Politikë dhe Financa si AKR, sepse e kanë kalkuluar gabim formulën e ndarjes të vendeve në këtë komitet që është një nga më të rëndësishmit në strukturën e Kuvendit Komunal për çka ne do t’i ndjekim edhe të gjitha rrugët ligjore që kjo të kthehet prapa dhe AKR-ja të ketë vendin meritor ashtu siç i takon”.
Boroci, në Info Magazine të Klan Kosovës, ka konfirmuar se ka pas një dakordim jo formal për bashkëqeverisje mes LDK-së dhe AKR-së i cili nuk është zyrtarizuar.
Ai tha se moszyrtarizimi i këtij dakordimi nuk ka ndodhur për shkak se AKR-ja e ka rritur pazarin për më shumë pushtet, por për shkak të neglizhencës së LDK-së.
“Në parim e kam konfirmuar edhe unë edhe pjesëtarë të tjerë të AKR-së që ka pas një dakordim joformal mes LDK-së dhe AKR-së për një bashkëqeverisje potenciale në momentin që dihen numrat në kuvend, pra pas zgjedhjeve. Nuk ka të bëjë me pazar dhe sa drejtori e sa pushtet marrim, por ideja është që nuk është konkretizuar dhe nuk është formalizuar marrëveshja joformale, ndoshta ka qenë neglizhencë e partnerit të koalicionit. Sot ka pas lajme se AKR-ja e ka rritur kërkesën dhe ka kërkuar më shumë drejtori sesa që ka pas dakordim që nuk është e vërtetë. Askush në AKR nuk ka pas kërkese në raport me LDK-në që i duam kaq ose kaq drejtori”.
“Është neglizhuar çështja e formalizimit të një marrëveshje potenciale. Ka pas diskutime dhe kanë qenë edhe disa takime, por nuk ka pas konkretizim të një marrëveshje. Ne si AKR jo domosdoshmërisht jemi të interesuar që të jemi pjesë e koalicionit. Ne e dimë që nuk i kemi fituar zgjedhjet dhe nuk mund ta implementojmë komplet programin tonë, por nëse ne bëhemi partner qeverisës është e rëndësishme që të gjejmë rrugë që një pjesë të pikave tona programore të implementohet dhe kjo mund të ndodhë nëse ki drejtori përmes të cilave mund t’i jetësosh këto projekte”.
