Asamblisti i Nismës: Nëse në këtë fazë nuk e mbështesnim votimin e kryesuesit, do t’i bënim dëm Prishtinës

Asamblisti i Nismës Socialdemokrate, Endrit Zaberxha, ka thënë se vota e tyre sot në seancën për zgjedhjen e kryesuesit të Kuvendit të Prishtinës ishte për zhbllokimin e procesit.

“Kemi konsideruar se nëse nuk e mbështesim në këtë fazë votimin e kryesuesit, do t’i bënim dëm Prishtinës”, ka thënë Zaberxha në Info Magazine.

Ai tha se partia e tij do të fokusohen në implementimin e programit të tyre, me theks të veçantë në rini.

“Qasja e Nismës në veçanti në këtë legjislaturë është qasje progresive duke e dëshmuar një reformim të brendshëm brenda mentalitetit dhe strukturave të përgjithshme ajo çfarë vlen të cekët është se ne nuk e shohim politikën lokale me kushte dhe ne nuk kemi pretenduar të kushtëzojmë diçka brenda bashkëpunimit. Ajo në çka ne fokusohemi është implementimi i programit. Duke e ditur se edhe në të kaluarën partitë ka pasur programe mjaft kualitative por asnjëra nuk kanë qenë të fokusuara vetëm të rinia, Nisma Socialdemokrate këtë fushatë e ka pasur vetëm për rini”, ka thënë ai.

Zaberxha shtoi se do të implemetojnë ato që kanë thënë në fushatë sepse nuk duan të shndërrohen në një parti tjetër politike.

“Fokusi ynë do të jetë udhëheqja e një dikasteri ku ne mund t’i implementojmë ato çfarë i kemi thënë në fushatë, sepse në të kundërtën besojmë se llogaridhënia do të ekzistojë dhe përveç fjalëve të fushatës ne nuk duam të shndërrohemi në një parti tjetër që e tjetërson idenë dhe votën që e ka marrë:, ka shtuar Zaberxha.

“Ne nuk e shohim bashkëpunimin politik në mënyrë parciale, patjetër që ne e mbështesim iniciativat e mira për kryeqytetin tonë të dashur qofshin ato nga opozita e ardhshme qofshin ato nga qeveria e ardhshme pa e pasur ende të definuar pozicionin tonë mund të zotohem se si asamblist i ri unë do ta përkrahi çdo iniciativë që e konsiderojmë që është në të mirë të qytetarëve”, ka vazhduar ai.

Ajo çka pretendon kjo parti, sipas Zaberxhës, është të jenë unifikues, konstruktivë dhe të japin një energji pozitive në kuptimin e kompromisit,

“Ne nuk pretendojmë që politika krijohet me kryeneçësi e as me inate, politika përveç betejës është edhe kompromis”, ka thënë ai.

Ai e përgëzoi edhe kryetarin e Prishtinës Përparim Ramën, pasi sipas tij nuk ka rënë pre e shantazheve politike për ta zgjedhur kryesuesin.

Go to TOP