Ende nuk ka të arrestuar për vrasjet në Deçan

Policia e Kosovës ende nuk ka arrestuar ndonjë të dyshuar për vrasjen e trefishtë në fshatin Gllogjan të Komunës së Deçanit.

Shoferi i autobusit dhe dy nxënës mbetën të vdekur më 26 nëntor pas të shtënave me armë në drejtim të autobusit, që po bartte nxënës në relacionin Gjakovë-Deçan.

Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës, Veton Elshani, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se ende nuk ka arrestime lidhur me këto vrasje.

Nga të shtënat drejt personave në autobus mbeti i lënduar edhe një nxënës, i cili po merr trajtim mjekësor.

Mbrëmjen e 26 nëntorit, kryeprokurori Blerim Isufaj ka thënë para mediave se hetimet janë duke u zhvilluar në disa pista, porse ende nuk ka ndonjë të dyshuar.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka bërë thirrje që kushdo që ka informata për ngjarjen, të bashkëpunojë me autoritetet, në mënyrë që kryesi i veprës të dalë sa më shpejt para drejtësisë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti e kanë cilësuar ngjarjen si “tronditëse” dhe i kanë ftuar organet e rendit që t’i zbulojnë autorët e krimit dhe t’i sjellin para drejtësisë.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se ka ndërprerë vizitën në Shqipëri për shkak të ngjarjes dhe se ka kërkuar nga Policia e Kosovës “angazhim dhe mobilizim maksimal”, në mënyrë që autori i këtij “akti makabër” të arrestohet sa më parë.

Ngjarjen e kanë dënuar edhe përfaqësues të tjerë të institucioneve dhe partive politike në Kosovë.

Go to TOP