Policia e Kosovës jep detaje për sekuestrimin në veturën me të cilën po udhëtonte reperi Don Xhon dhe miku i tij
Reperi i njohur shqiptar, Don Xhon, emri i vërtetë i të cilit është Xhonatan Isufi, është ndaluar të martën nga Policia e Kosovës në Prishtinë.
Reperi ndodhej në veturën e mikut të tij, kur u ndalua për kontroll në rrugën “Tirana” në kryeqytet.
Lidhur me rastin, zyra për informim në Policinë e Kosovës, kanë dhënë detaje në lidhje me rastin.
“Policia e Rajonit të Prishtinës, respektivisht zyrtarët e Njësitit të reagimit të shpejtë, sot rreth orës 14:30, në rrugën “Tirana” në Prishtinë, për kontroll rutinore, kanë ndaluar një veturë të tipit ‘Range Rover’. Pas një kontrolli të detajuar që i është bërë (dy) personave dhe veturës, policia ka arritur që të gjejë dhe të sekuestrojë: një armë të shkurtë, një karikatorë si dhe gjashtë fishekë”, kanë thënë nga zyra për informim.
Mjetet e konfiskuara nga Policia e Kosovës në veturën me të cilën po udhëtonte reperi Don Xhon (Foto: Policia e Kosovës)
Tutje, nga zyra për informim tregojnë se ndaj mikut të reperit Festim Strumçaku është iniciuar rast për mbajtje të paautorizuar në armës.
“F.S, mashkull 25 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, është dërguar për intervistim,në stacionin policor qendra në Prishtinë. Ndaj tij është iniciuar rasti për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armës dhe i njëjti më pas me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në deklaratën e policisë.
Përndryshe, menjëherë pas intervistimit, Don Xhon ka publikuar një fotografi me mikun e tij në InstaStory, duke e pyetur me shaka se çfarë e pyetën policët gjatë kontrollit.
Foto: Don Xhoni/InstaStory
