Hoti: Kuvendi i jashtëzakonshëm i LDK-së është mekanizëm demokratik për kontroll ndaj lidershipit

Ish-kryeministri dhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar lidhur me Kuvendin e jashtëzakonshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili do të mbahet të enjten me kërkesën e delegatëve.

Hoti ka thënë se ky mekanizëm është i paraparë me statut për të mundësuar kontrollin demokratik të delegatëve ndaj lidershipit të partisë duke u bazuar në praktikat e partive simotra evropiane.

Sipas tij, thirrja e Kuvendit është bërë për shkak të rezultateve të dobëta zgjedhore të LDK-së në tri palë zgjedhje parlamentare dhe humbjes së dy komunave në zgjedhjet lokale.

“Një LDK që e ul kokën përballë këtyre humbjeve nuk i shërben Kosovës”, ka deklaruar Hoti duke shtuar se partia duhet të forcohet për betejat politike në mbrojtje të interesit të vendit.

Ai ka theksuar se Kuvendi nuk është thirrur kundër ndonjë individi, por për të diskutuar mënyrën e forcimit të LDK-së dhe përgatitjen e saj për përballjen politike me pushtetin aktual.

Në reagimin e tij, Hoti ka kritikuar qeverisjen e Vetëvendosjes duke renditur, sipas tij, dëmtimin e marrëdhënieve me aleatët strategjikë, moszbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit, procesin e dialogut, çështjet në energjetikë, menaxhimin e buxhetit, emërimet politike, si dhe problemet në sundimin e ligjit dhe ekonomi.

Ai ka thënë se LDK-së i duhet një organizim i fortë për t’u përballur me këto sfida dhe se Kuvendi nuk duhet të shihet si proces për të vendosur paraprakisht një emër të ri në krye të partisë.

“Lidershipi i ri i LDK-së nuk mund të paracaktohet nga askush, as nga grupet jashtë LDK-së, as nga dëshirat e preferencat brenda LDK-së”, ka shkruar Hoti.

Sipas tij, drejtimi i ri i partisë duhet të dalë nga zgjedhjet e përgjithshme brenda LDK-së, të zhvilluara në mënyrë transparente, me pjesëmarrjen e anëtarësisë dhe në përputhje me statutin dhe rregulloret e partisë. /Kosova.info/


Go to TOP