Hamiti: LDK-ja duhet të kuvendojë për rimëkëmbjen e saj dhe të rikthehet te vlerat themeluese

Veprimtari Muhamet Hamiti ka kërkuar që Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në Kuvendin e jashtëzakonshëm të 30 korrikut të zhvillojë një debat demokratik për të ardhmen dhe rimëkëmbjen e partisë.

Në një shkrim të tij, Hamiti ka theksuar se LDK-ja ka qenë më e fuqishme kur ka mishëruar vlerat vendëse në harmoni me vlerat perëndimore, si parti e qendrës së djathtë duke përmendur rolin e saj nën udhëheqjen e presidentit historik Ibrahim Rugova.

Sipas tij, programi i LDK-së është i dallueshëm nga partitë e tjera dhe bazohet në politika nacionale për Kosovën, zhvillim ekonomik, ekonomi të lirë tregu dhe integrime euro-atlantike.

Hamiti ka vlerësuar se pas periudhës pas vdekjes së Rugovës dhe përçarjeve të brendshme, LDK-ja ka pësuar rënie në skenën politike duke kaluar nga partia e dytë në të tretën në zgjedhjet e fundit nacionale.

“Rimëkëmbja e LDK-së sot është çështje me interes jetik jo vetëm për LDK-në, por edhe për skenën politike dhe kulturën demokratike të Kosovës”, ka shkruar ai.

Ai ka kritikuar edhe pushtetin aktual të Vetëvendosjes duke thënë se Kosova në vitet e fundit është përballur me vështirësi politike dhe ekonomike, përfshirë edhe sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian.

Hamiti ka bërë thirrje që LDK-ja të shmangë përplasjet ndërmjet brezave dhe të ndërtojë harmoni mes anëtarëve të saj duke ruajtur identitetin politik dhe vlerat mbi të cilat është themeluar.

Ai ka kërkuar që në kuvendin e jashtëzakonshëm të ketë dialog, ballafaqim idesh dhe zgjedhje të reja në të gjitha nivelet.

“Lidershipi i ri që e merr besimin dhe përkrahjen e anëtarësisë duhet të punojë me ngulm për ta rimëkëmbur LDK-në, me synimin për ta kthyer parti të parë në vend”, ka përfunduar Hamiti. /Kosova.info/


Go to TOP