AUV paralajmëron fermerët: Rritni masat e biosigurisë pas rasteve të konfirmuara me Linë e Dhenve dhe Dhive

Pas konfirmimit të disa rasteve të sëmundjes Lija e Dhenve dhe Dhive (Sheep and Goat Pox) në komunat Ferizaj, Kaçanik, Shtërpcë dhe Viti, si dhe rrezikut të përhapjes së mëtejshme të saj, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) u bën thirrje të gjithë fermerëve të deleve dhe dhive që të rrisin vigjilencën dhe të zbatojnë me përpikëri masat e biosigurisë.

Bazuar në situatën epidemiologjike të krijuar, AUV kërkon nga fermerët të zbatojnë këto masa parandaluese:

  • Mos lëvizni delet dhe dhitë nga ferma pa autorizimin e veterinerit zyrtar.
  • Kufizoni hyrjen e personave dhe automjeteve të paautorizuara në fermë.
  • Shmangni kontaktin e kafshëve tuaja me tufat e fermave të tjera.
  • Pastroni dhe dezinfektoni rregullisht objektet, pajisjet dhe mjetet e transportit.
  • Çdo kafshë e sapoblerë të mbahet e ndarë nga tufa për një periudhë vëzhgimi.
  • Kontrolloni çdo ditë gjendjen shëndetësore të kafshëve.

Fermerët duhet të jenë të kujdesshëm ndaj shenjave klinike si:

  • temperaturë e lartë;
  • puçrra ose plagë në lëkurë, gojë, hundë apo gjinj;
  • rrjedhje nga sytë ose hunda;
  • mungesë oreksi, dobësi ose ngordhje të kafshëve.

Në rast të vërejtjes së këtyre shenjave, fermerët duhet të njoftojnë menjëherë veterinerin privat ose inspektorët e AUV-së. Nuk duhet të tentojnë trajtimin apo lëvizjen e kafshëve të dyshuara.

Bashkëpunimi i fermerëve është thelbësor për parandalimin e përhapjes së sëmundjes dhe mbrojtjen e tufave në të gjithë vendin.

AUV sqaron se Lija e Dhenve dhe Lija e Dhive nuk transmetohet te njerëzit dhe nuk paraqet rrezik për shëndetin publik. Kjo është një sëmundje me ndikim ekonomik, e cila mund të shkaktojë humbje për fermerët dhe ekonominë e vendit. /Kosova.info/


Go to TOP