Shiu rikthen makthin e gropave në rrugët e Prishtinës
Reshjet e shiut, mëngjesin e sotëm kanë rikthyer makthin e gropave në rrugët e Prishtinës. Infrastruktura e dobët dhe pusetat e bllokuara kanë bërë që shumë akse rrugore të mbulohen nga uji, duke fshehur dëmtimet e asfaltit që po shkaktojnë edhe dëme material te ngasësit. Ndërkohë që qytetarët kërkojnë ndërhyrje emergjente, përgjigjja e autoriteteve lokale mungon.
Mjafton një shi, e gropat e rrugëve të Prishtinës të shndërrohen në problem si për këmbësorët ashtu edhe për ngasësit e automjeteve. Veçanërisht në rrugën “Xhavit Berisha” në Kodrën e Trimave, janë kthyer në një kurth të padukshëm për ngasësit, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale në automjete. Infrastruktura e dobët dhe pusetat e bllokuara bëjnë që gjatë reshjeve të shiut, gropat e thella të mbulohen plotësisht, duke u bërë të pamundura për t’u dalluar nga shoferët.
“Gjendja po dihet, vërshimet, këtu me traktor me kalu është problem e jo me veturë”, tha një qytetar.
E vështirësi në qarkullim, shoferët thonë se po u shkakton kjo gjendje në rrugën Iliria dhe Xheladin Hana.
E ankesa pati edhe për një pjesë të rrugës afër rrugës Fazli Fetahu, te rrethi në Rrugën C.
“Jo bash mirë, po të kallëzoj. Duhet rruga me qenë rrugë, e rregullt”, thotë tjetri qytetar.
Pavarësisht përpjekjeve, rreth gjendjes në infrastrukturën rrugore të kryeqytetit, Komuna e Prishtinës për këtë problematikë, ka zgjedhur heshtjen.
