Deklaratat e Vuçiqit dhe Paunoviqit nxisin reagime të reja në Kosovë
Deklaratat e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, se Kosova është pjesë e Serbisë, si dhe deklaratat e ministres serbe, Snezhana Paunoviq, lidhur me “spastrimin etnik”, kanë nxitur reagime të reja.
Analistët vlerësojnë se kjo retorikë nuk duhet të shihet si një seri deklaratash të izoluara, por si pjesë e një qasjeje të vazhdueshme politike ndaj Kosovës. Ata kërkojnë një reagim më të qartë dhe më të ashpër nga bashkësia ndërkombëtare.
Reagime kanë ardhur edhe nga Demokratët Evropianë, të cilët e kanë cilësuar këtë retorikë si të dëmshme për procesin e pajtimit dhe stabilitetin rajonal.
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, vazhdon të përsërisë qëndrimin se “Kosova është pjesë e Serbisë”. Ndërsa deklarata e ministres serbe Snezhana Paunoviq për “spastrimin etnik”, sipas analistëve, nuk duhet të shihen si raste të izoluara, por si pjesë e një qasjeje politike me deklarata hegjemoniste ndaj shtetit të Kosovës.
Politologu Dorajet Imeri thotë se mungesa e një reagimi të qartë, të ashpër dhe këmbëngulës nga bashkësia ndërkombëtare ndaj deklaratave të tilla ka ndikuar që kjo retorikë të forcohet, të bëhet pjesë e diskursit të përditshëm dhe gradualisht të normalizohet.
Ndërsa drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride, Arben Fetoshi, vlerëson se mesazhi që bashkësia ndërkombëtare i dha Serbisë në vitin 1999, përmes ndërhyrjes së NATO-s, duhet t’i përsëritet sot Beogradit zyrtar në mënyrë të qartë edhe në aspektin politik.
Vetëm një ditë më parë, duke folur para kadetëve të rinj të Forcave të Armatosura të Serbisë, Vuçiqi u tha atyre se Kosova është pjesë e Serbisë dhe u kujtoi se duhet ta mbrojnë atë.
Vuçiqi përmendi edhe marrëveshjen e bashkëpunimit ushtarak mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë, të cilën e cilësoi si aleancë kundër Serbisë.
Ndërkaq, ministrja serbe Snezhana Paunoviq, pavarësisht përpjekjes për ta zbutur deklaratën e saj, nuk u tërhoq nga thelbi i saj. Ajo tha se vetëm formulimi “spastrimi etnik” ishte i papërshtatshëm dhe se do të duhej të përdorte termin “deportim”.
Retorikën e fundit të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, e kanë kritikuar edhe Demokratët Evropianë, pjesë e Partisë Demokratike Evropiane.
Ata e kanë cilësuar këtë retorikë si të dëmshme për procesin e pajtimit dhe stabilitetin rajonal.
Në reagimin e tyre, Demokratët Evropianë e kanë lidhur deklaratën e Vuçiqit edhe me deklaratën e ministres serbe Snezhana Paunoviq, e cila disa ditë më parë tha se do ta kishte “spastruar etnikisht” Kosovën në vitin 1998.
Në reagim thuhet se udhëheqja nuk matet vetëm me qëndrimet që mban, por edhe me retorikën që toleron dhe legjitimon.
Demokratët Evropianë kanë theksuar se e ardhmja evropiane e Ballkanit Perëndimor duhet të ndërtohet mbi dialogun, pajtimin, përgjegjësinë dhe respektimin e së drejtës ndërkombëtare.
