Rumania rrëzon një tjetër dron që shkeli hapësirën e saj ajrore
Rumania rrëzoi sot një dron që kishte hyrë në hapësirën e saj ajrore, duke shënuar ditën e dytë radhazi që ndërmerr një veprim të tillë dhe vetëm herën e dytë që prej fillimit të pushtimit rus të Ukrainës.
Si vend anëtar i NATO-s dhe fqinj i Ukrainës, Rumania është përballur që nga viti 2022 me dhjetëra incidente ku dronë kanë hyrë në territorin e saj, ndërsa disa prej tyre janë rrëzuar brenda kufijve rumunë.
Ministri rumun i Mbrojtjes, Radu Miruța, bëri të ditur se droni u zbulua nga radarët në orën 08:22 dhe u rrëzua në orën 08:34 nga një avion luftarak F-16, pasi kishte hyrë në mënyrë të paligjshme në hapësirën ajrore të vendit.
Sipas tij, droni u godit rreth 9,6 kilometra në perëndim të Sfantu Gheorghe, në deltën e Danubit, pranë kufirit me Ukrainën.
Ky është incidenti i dytë brenda dy ditësh, pasi forcat rumune rrëzuan dje për herë të parë një dron, rreth 114 kilometra larg Bukureshtit.
Në muajin maj, një tjetër dron u përplas me një ndërtesë banimi në Rumani, duke plagosur dy persona.
Pas incidenteve të përsëritura, Parlamenti rumun miratoi në vitin 2025 një ligj që u jep autoriteteve të drejtën të rrëzojnë çdo dron që shkel hapësirën ajrore të vendit.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, reagoi pas incidentit të djeshëm duke theksuar se forcimi i mbrojtjes dhe aftësive parandaluese përgjatë kufirit lindor të NATO-s mbetet një prioritet absolut, ndërsa vlerësoi gatishmërinë e ushtrisë rumune.
