MINTI gjobit KEDS-in me 65 mijë euro, zbulohen 13 njehsorë elektrikë me verifikim të skaduar

Ministria e Industrisë, e Ndërmarrësisë, e Tregtisë dhe e Inovacionit (MINTI), përmes Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës (AMK) dhe Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, ka vazhduar kontrollet ndaj njehsorëve elektrikë në mbarë vendin, duke konstatuar shkelje që kanë rezultuar me gjoba ndaj operatorit për shpërndarjen e energjisë elektrike, KEDS.

Sipas MINTI-t, gjatë inspektimeve të fundit janë identifikuar 13 njehsorë elektrikë që ishin në përdorim edhe pse u kishte skaduar afati i verifikimit metrologjik. Për këtë shkelje, KEDS është ndëshkuar me 13 gjoba administrative, në vlerë totale prej 65 mijë eurosh.

Ministria ka bërë të ditur se aktivitetet e mbikëqyrjes do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim garantimin e matjes së saktë të konsumit të energjisë elektrike, mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe zbatimin e plotë të legjislacionit dhe standardeve metrologjike në fuqi.

Sipas njoftimit, ky veprim është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për forcimin e mbikëqyrjes së tregut dhe sigurimin e respektimit të standardeve ligjore në sektorin e matjes së energjisë elektrike.

MINTI u ka bërë thirrje qytetarëve që posedojnë dëshmi ose kanë dyshime lidhur me funksionimin e njehsorëve elektrikë t’i raportojnë ato përmes numrit +383 (0) 46 311 000 në Viber ose në adresën elektronike [email protected]. /Kosova.info/

Go to TOP