Aleanca: Paraqitja e “Curious X” në koncert bie ndesh me Ligjin për Kontrollin e Duhanit
Në materialin publik të koncertit “Thirrëm Sot ose Nesër” të Yll Limanit shfaqet shenja “Curious X”. Koncerti mbahet më 24 dhe 25 korrik 2026, në parkingun e Prishtina Mall.
Aleanca për të Ardhmen pa Duhan dhe Nikotinë e ka verifikuar lidhjen duke krahasuar materialin e koncertit me burimet zyrtare të IQOS Albania. Në faqen e saj zyrtare, IQOS Albania e prezanton “Curious X” shprehimisht si “platforma më e re nga IQOS”. Në komunikimet e IQOS Albania, ajo lidhet edhe me aktivitete në evente, bileta dhe zona VIP, si dhe me pajisje IQOS ILUMA.
Ligji për Kontrollin e Duhanit e përkufizon promovimin gjerësisht duke përfshirë çdo aktivitet që ka për qëllim, efekt ose efekt të pritshëm promovimin e produkteve të duhanit, drejtpërdrejt ose tërthorazi. Neni 8 ndalon reklamat, promovimet dhe sponsorizimet e ngjarjeve, përfshirë komunikimet që promovojnë ose mund të promovojnë industrinë e duhanit.
Duke marrë parasysh lidhjen e dokumentuar ndërmjet “Curious X” dhe IQOS, sipas vlerësimit juridik të Aleancës, paraqitja e kësaj platforme në materialet e koncertit përbën promovim të tërthortë dhe është në kundërshtim me nenin 8 të Ligjit për Kontrollin e Duhanit.
Për këtë rast, Aleanca ka njoftuar Ministrin e Shëndetësisë, për verifikimin e rrethanave, përcaktimin e përgjegjësisë dhe ndërmarrjen e veprimeve brenda kompetencave ligjore.
Verifikimi:
Materiali publik i koncertit
IQOS Albania – Curious X
Postimi IQOS Albania – Curious X/ILUMA
Ligji i konsoliduar për Kontrollin e Duhanit /Kosova.info/
