Miratohet zgjerimi i ngrohjes qendrore, premtohet shtrirje mbi 50%

Në mesin e disa vendimeve të miratuara, Qeveria e Kosovës ka vendosur pro marrëveshjes që siguron zgjerimin e ngrohjes qendrore në Prishtinë, nëpërmjet grantit në vlerë prej 17.2 milionë eurove.

Kjo marrëveshje e cila do të nënshkruhet ndërmjet Ministrisë së Financave, “Termokosit” dhe Bankës Evropiane për Investime, sipas kryeministrit në detyrë, është një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në sektorin e energjisë

“Me këtë nismë hapim rrugën për lidhjen e marrëveshjes së grantit midis Republikës së Kosovës, Termokosit dhe Bankës Evropiane për Investime, duke siguruar mbështetje financiare për realizimin e këtij projekti me ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë dhe mirëqenien e jetës së qytetarëve”, tha Kurti.

Ndërkaq ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati tha se do të rritet mbulueshmëria me ngrohje qendrore përmbi 50%.

“Marrëveshja synon zgjerimin e sistemit të ngrohjes qendrore në Prishtinë përmes zgjerimit të rrjetit drejt zonave dhe konsumatorëve të rinj. Projekti pritet të përmirësojë cilësinë dhe sigurinë e furnizimit me ngrohje, të zgjerojë mbulueshmërinë e rrjetit për mbi 50% të kërkesës për ngrohje në Prishtinë, si dhe do të kontribuojë në uljen e ndotjes së ajrit përmes reduktimit të përdorimit të energjisë elektrike dhe lëndëve të tjera djegëse për ngrohje”, tha Murati.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës miratoi edhe Marrëveshjen Ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për aderimin në zonën “EU Roam Like Home”, e cila do të jetë parakusht për implementimin e plotë të “EU Roaming Acquis”.

Është aprovuar gjithashtu propozim vendimi për qiradhënie sipas kërkesës nga Agjencia Pyjore e Kosovës, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në kohëzgjatje prej 15 vjetësh për nxjerrjen dhe shfrytëzimin e gurit gëlqeror.

Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektrregulloren për zhvillimin e procedurave të rekrutimit për zjarrfikës; propozimvendimin për dhënien në shfrytëzim të hapësirës prej rreth 30 ari, e cila është në pronësi të Agjencisë Pyjore të Kosovës – Ndërmarrja e Pyjeve në Prizren, për Ministrinë e Drejtësisë dhe propozim vendimin për aprovimin e Kornizës për Ndërtimin e Kapaciteteve Digjitale për Qeverinë e Kosovës.

Go to TOP