Hamiti: VV po përdor fitoren për të “sunduar”, jo për të qeverisur në mënyrë demokratike
Kosova po vazhdon pa institucione të reja, peng i partisë që ka fituar shumicën, por që nuk po e thërret seancën për konstituimin e Kuvendit.
Për këtë ka reaguar edhe zyrtari i LDK-së, Muhamet Hamiti, i cili tha se, edhe pse VV-ja ka dalë bindshëm e para në rezultatet e zgjedhjeve të fundit, po i përdor ato për të “sunduar” dhe jo për të qeverisur në mënyrë demokratike.
Ai shtoi se lideri i VV-së, i certifikuar si deputet, Albin Kurti, vazhdon ta udhëheqë Qeverinë e Kosovës në kundërshtim me Kushtetutën, pasi nuk lejon që “deputeti të mbajë edhe detyrë ekzekutive”.
Siç tha ai, këtë e kishte konfirmuar Gjykata Supreme e Kosovës me aktgjykimin e datës 25 qershor 2025.
“Për këtë arsye, vitin e kaluar BE-ja refuzonte t’i takonte në godinën e Qeverisë sonë Albin Kurtin dhe shkelësit e tjerë si ai”, ka shkruar Hamiti.
Postimi i plotë:
Mbas mandatit të dështuar 4-vjeçar në Qeveri, VV-ja mori rezultate zgjedhore në tri palë zgjedhje parlamentare (2025-2026) që i mundësuan ta paralizojë funksionimin kushtetues të institucioneve kryesore të shtetit .
Rezultatet zgjedhore që e nxorën VV-në bindshëm të parën i përdorën jo për të qeverisur në mënyrë demokratike por si levë për të sunduar pa mbikëqyrje parlamentare, me shkelje serike kushtetuese, nën sanksione financiare të BE-së e të tjera për fajin e tyre.
Lideri i VV-së, deputeti i certifikuar Albin Kurti vazhdon ta drejtojë Qeverinë e Kosovës në kundërshtim me Kushtetutën e vendit tonë, e cila nuk lejon që deputeti të mbajë edhe detyrë ekzekutive, siç e ka konfirmuar Gjykata Supreme e Kosovës me aktgjykimin e datës 25 qershor 2025. (Për këtë arsye, vitin e kaluar BE-ja refuzonte t’i takonte në godinën e Qeverisë sonë Albin Kurtin dhe shkelësit e tjerë si ai). Ky njeri vazhdon të emërojë zëvendësministra në Qeverinë në detyrë.
Albin Kurti me VV-në e tij po e gëzojnë pushtetin sundimtar, qytetarët e Kosovës po i vuajnë pasojat.
