Përurohet lapidari për heronjtë Fisnik Ibrahimi dhe Fetah Sylejmani, Hadergjonaj: Sakrifica e tyre është amanet për brezat
Deputeti i LDK-së dhe një nga komandantët e Betejës së Koshares, Fadil Hadergjonaj, ka marrë pjesë në inaugurimin e lapidarit kushtuar dy heronjve të fshatit Shajnë, Fisnik Ibrahimit dhe Fetah Sylejmanit, të cilët ranë dëshmorë gjatë luftës çlirimtare në Betejën e Koshares.
Hadergjonaj tha se Fisnik Ibrahimi dhe Fetah Sylejmani u bashkuan nga ideali i lirisë dhe luftuan krah për krah në njërën prej betejave më të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, së bashku me komandantin legjendar Sali Çekaj dhe luftëtarë të tjerë.
Ai kujtoi se Fisnik Ibrahimi ra heroikisht më 19 prill 1999, në ditën më të përgjakshme të Betejës së Koshares, vetëm pak orë para rënies së komandantit Sali Çekaj, ndërsa Fetah Sylejmani vazhdoi luftën deri më 27 prill 1999, kur ra dëshmor në vijën e parë të frontit së bashku me Bekim Thaqin.
Në ceremoninë përuruese morën pjesë komandanti i Betejës së Koshares, Rrustem Berisha, komandantët Anton Quni dhe Fadil Hadergjonaj, ministri Andin Hoti, kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta, familjarë të dëshmorëve, bashkëluftëtarë dhe qytetarë të shumtë.
Sipas Hadergjonajt, lapidarët nuk janë vetëm monumente përkujtimore, por dëshmi e sakrificës për lirinë e Kosovës dhe amanet për brezat e ardhshëm që ta ruajnë, ta mbrojnë dhe ta forcojnë shtetin, ashtu siç e ëndërruan dhe e fituan dëshmorët e kombit.
Në përfundim, ai shprehu nderim për Fisnik Ibrahimin, Fetah Sylejmanin dhe të gjithë dëshmorët e martirët e kombit duke shprehur njëkohësisht mirënjohje për familjet e tyre dhe bashkëluftëtarët. /Kosova.info/
