Haxhiu dekoron grupin “Marigona” për kontributin në muzikën rock të Kosovës
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka dekoruar sot grupin legjendar “Marigona” në shenjë vlerësimi për kontributin e tyre të çmuar në promovimin e vlerave muzikore dhe kulturore të vendit.
Haxhiu theksoi se grupi “Marigona” është pjesë e gjeneratës së artë të muzikës rock në Kosovë, ndërsa këngët e tyre mbeten simbol i një periudhe të rëndësishme të zhvillimit kulturor të vendit dhe vazhdojnë të dëgjohen e të vlerësohen edhe sot.
“Sot dekorova grupin ‘Marigona’ për promovimin e vlerave muzikore, si pjesë e gjeneratës së artë të rokut në Kosovë. Këngët e tyre mbeten pjesë e një periudhe të rëndësishme të zhvillimit kulturor të Kosovës dhe vazhdojnë të dëgjohen me të njëjtën dashuri edhe sot”, u shpreh Haxhiu.
Ajo shtoi se me krijimtarinë dhe veçantinë e tyre artistike, grupi “Marigona” ka lënë gjurmë të qëndrueshme në muzikën kosovare dhe në kujtesën e shumë brezave duke merituar mirënjohjen institucionale për kontributin e tyre shumëvjeçar. /Kosova.info/
