Me besim në Zot dhe elektorat për ringritjen e partisë!
Shkruan: Florim ZEQA
LDK dikur ishte krenaria, shpresa dhe besimi i qytetarëve të Kosovës; tani është kthyer në një farsë politike, së cilës nuk i beson më askush në Kosovë! Si t’i besohet një subjekti politik që mbahet peng nga klanet dhe grupet e interesit, të cilat po e dëmtojnë të ardhmen e shtetit!
Iniciatorët e ‘votëbesimit’ janë mbështetësit më besnikë të kryetarit dështak të partisë
Pengmbajtësit, të ndarë dhe të përçarë për ambicie personale, po e rrënojnë pamëshirshëm në themelet e saj LDK-në e liderit historik, Ibrahim Rugova!
LDK-ja, përveçse amanet i Rugovës, është amanet politik i mijëra aktivistëve dhe veprimtarëve të orëve të para, që sakrifikuan në kohët më të vështira për Kosovën.
Mirëpo, drejtuesit post-rugovianë po e trajtojnë LDK-në si plaçkë lufte dhe si mjet për arritjen e interesave personale.
Garën e ndershme dhe demokratike e kanë kthyer në maskaradë zgjedhore brenda partisë!
Votën e lirë e kanë kthyer në aklamacion, kurse rivalitetin politik e kanë kthyer në luftë klasash brenda partisë!
Degradimi e arriti kulmin kur dorëheqja e kryetarit humbës të zgjedhjeve u kthye në ‘votëbesim’ (uzurpim të partisë)!
Klanorët zgjedhjet e brendshme i kanë zëvendësuar me ‘mocione votëbesimi’ për kryetarin, sa për t’i justifikuar pazaret politike për poste të larta në parti!
Iniciatorët e ‘votëbesimit’ janë mbështetësit më besnikë të kryetarit të partisë!
‘Votëbesimi’ është loja më e pandershme që ka ndodhur ndonjëherë në LDK, nga themelimi e deri në ditët e sotme!
Kjo lojë është e organizuar nga klani i Isa Mustafës për ta mbrojtur produktin e tij – Lumir Abdixhiku!
Në fakt, që pas vdekjes së liderit historik, LDK është në kërkim të një lideri karizmatik, por ndodhet shumë larg atij qëllimi, për shkak të largimit të figurave markante dhe themeltarëve nga klanorët aktualë!
Beteja politike mes klaneve për kapjen e partisë e ka dobësuar aq shumë LDK-në, saqë vetëm një figurë e re mund ta bëjë kthesën e madhe në këtë subjekt politik!
Liderët lindin, ata nuk krijohen me stimulime dhe ndarje të partisë!
Partia nuk bashkohet me fjalë, por me vepra!
Aktivistët dhe veprimtarët që i qëndruan besnikë idealit të tyre, që dhanë gjithçka për LDK-në, nuk u besojnë më klaneve dhe grupeve të interesit që e ndanë dhe e përçanë partinë!
Ata që i dhanë shtëpisë emër nuk janë më pjesë e saj; vendet e tyre i zunë matrapazët, mercenarët, parashutistët dhe të ricikluarit politikë! Ata që sot e kërkojnë besimin në LDK janë njerëz pa themel dhe pa asnjë gjurmë rugoviane në LDK!
Ka ardhur koha që Lidhjen Demokratike të Kosovës ta udhëheqë një intelektual i kalibrit nga mërgata. Lideri i LDK-së duhet të jetë i vendosur dhe i guximshëm, përbashkues dhe unifikues i vlerave rugoviane, i cili nuk është pjesë e klaneve dhe grupeve të interesit në LDK.
I tillë jam unë; e kam dijen, dëshirën, vullnetin, vendosmërinë dhe guximin për reformimin e thellë të LDK-së, pa asnjë ambicie personale, me forcën dhe qëllimin hyjnor, me besim në Zot dhe elektorat për ringritjen e partisë.
*Florim Zeqa, kandidat për kryetar të LDK-së!
