Pas gati katër vitesh, pritet rikthimi i gjyqtarëve serbë në veri

Pas gati katër vitesh nga dorëheqjet kolektive të gjyqtarëve dhe stafit gjyqësor serb në veri të Kosovës, pritet rikthimi i një pjese të tyre në sistemin e drejtësisë. Nga 1 shtatori, rreth 16 gjyqtarë mund të kthehen në detyrë, por procesi shoqërohet me pikëpyetje për zbatimin dhe rikthimin e besimit në institucionet e drejtësisë.

Nga 1 shtatori pritet një kthim i pjesshëm i gjyqtarëve nga komuniteti serb në institucionet e drejtësisë në Kosovë. Këtë pritshmëri e ka shprehur drejtori ekzekutiv i Qendrës për Avokim për Kulturë Demokratike (ACDC), Dushan Radakoviq, gjatë konferencës “Gjyqësori në veri të Kosovës: sfidat aktuale dhe perspektivat për zhvillimin institucional”, të mbajtur në Mitrovicën e Veriut.

Sipas Radakoviqit, janë zhvilluar takime me përfaqësues të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ku është diskutuar mënyra e kthimit të gjyqtarëve dhe stafi gjyqësor, si dhe sfidat që mund ta shoqërojnë këtë proces.

“Çfarë unë mund të them është që unë pres që njerëzit të kthehen me 1 shtator. Ky është mendimi im. Sa për informimin tuaj njerëzit kanë dërguar email-a KGJK-së që të informojnë se dëshirojnë të kthehen dhe natyrisht t’i tërheqin prapa dorëheqjen e tyre. Janë 130 njerëz të cilët kanë dorëzuar dorëheqjen me 6 nëntor 2022-tën, një numër më i vogël ka dërguar dhe do t’ju jap një shembull që nga 24 gjyqtar që kanë punuar, vetëm 16 mund të kthehen. Dy gjyqtar për shkak angazhimit politik dhe veprimit politik ju kanë miratuar dorëheqjet dhe momentalisht disa prej tyre kanë shkuar në pension e disa kanë humbur jetën dhe për momentin i kemi 16 gjyqtar të cilët do të kthehen”, tha Dushan Radakoviq, drejtor ekzekutiv të OJQ-së ACDC-së.

Avokati Shyqyri Syla vlerëson se fakti që dorëheqjet nuk janë miratuar, krijon mundësi ligjore për rikthimin e tyre dhe mund ta lehtësojë procesin e ri-integrimit në sistemin e drejtësisë.

“Me vetë faktin që nuk janë aprovuar dorëheqjet e tyre, ata kanë lënë një derë hapur për kthimin e tyre”, tha Syla.

Ndryshe nga ai, avokati Ljubomir Pantoviq shprehet skeptik për mundësinë e rikthimit që nga 1 shtatori.

“Unë nuk jam optimist dhe unë nuk besoj në këto lajme të mira të cilat lajmërohen, e posaçërisht nuk besoj në 1 shtator dhe po them pse. Këto 15 – 16 gjyqtar të cilët besohet që janë të gatshëm që të kthehen për gjithë këto vite nuk është folur, nuk janë lajmëruar pse po e bëjnë këtë, pse po ndodh kjo dhe asnjëherë deri sot nuk e ka thënë këtë”, tha Pantoviq.

Gëzim Shala nga Instituti Demokratik i Kosovës, thekson se, përtej shtimit të numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, elementi më i rëndësishëm mbetet rikthimi i besimit të qytetarëve në drejtësi.

“Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës e kanë menaxhuar disi situatën në raport me numrin e lëndëve, në raport me ngarkesën me lëndë, në mënyrë që të menaxhohet një gjendje ku ka rënë ndjeshëm numri i gjyqtarëve dhe i prokurorëve. Por, megjithatë, numri i gjyqtareve dhe i prokurorëve mund të rritet dhe të menaxhohet më mirë edhe statistikash të dalim më mirë, por e rëndësishme është qasja në drejtësi. E rëndësishme është besimi në drejtësi”, tha Shala.

Gjyqtarët, prokurorët dhe policët nga komuniteti serb dhanë dorëheqje kolektive në nëntor të vitit 2022, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për ri-regjistrimin e automjeteve me targa RKS. Rreth 130 pjesëtarë të sistemit të drejtësisë dhe qindra zyrtarë policorë u larguan nga institucionet, ndërsa një pjesë e madhe e pozitave në gjykatat e veriut vazhdojnë të mbeten të paplotësuara.

Go to TOP