AUV intensifikon kontrollet pas rasteve të dyshuara të helmimit në Prishtinë dhe Han të Elezit
Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinarisë (AUV) ka intensifikuar kontrollet zyrtare pas rasteve të raportuara për dyshime të helmimit të qytetarëve në Prishtinë dhe Han të Elezit.
Sipas AUV-së, inspektorët veterinarë kanë kryer inspektime emergjente në të dy lokacionet duke kontrolluar kushtet higjieno-sanitare, dokumentacionin, gjurmueshmërinë e produkteve dhe procedurat e vetëkontrollit të operatorëve ushqimorë. Gjithashtu janë marrë mostra për analiza laboratorike mikrobiologjike.
Në Prishtinë janë marrë mostra të sosit të bardhë, qumështit dhe vezëve, ndërsa në Han të Elezit është marrë mostër e majonezës. Mostrat janë dërguar për analiza në Laboratorin e Ushqimit dhe Veterinarisë, ndërsa mostra e vezëve është dërguar në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.
AUV bëri të ditur se analizat laboratorike janë ende në proces dhe se pas përfundimit të tyre do të publikohet raporti përfundimtar. Agjencia thekson se, nëse konstatohen shkelje të legjislacionit ose rrezik për shëndetin publik, do të ndërmerren masa administrative dhe ligjore ndaj operatorëve përgjegjës.
Njëkohësisht, AUV u ka bërë thirrje operatorëve të biznesit ushqimor që të respektojnë standardet e sigurisë ushqimore dhe qytetarëve që të kontrollojnë etiketimin, afatin e përdorimit dhe kushtet e ruajtjes së produkteve ushqimore para blerjes dhe konsumit. /Kosova.info/
