Spanja mposht Francën dhe siguron finalen e madhe të Botërorit
Spanja është finalisti i parë i Kampionatit Botëror, pasi e ka mposhtur Francën me rezultat 2:0 në gjysmëfinalen e zhvilluar në Arlington.
Skuadra spanjolle e ka dominuar ndeshjen dhe e ka vulosur kualifikimin falë golave të Mikel Oyarzabal dhe Pedro Porro.
Spanja ka kaluar në epërsi në minutën e njëzet e dytë. Arbitri Ivan Barton ka akorduar penallti pas një ndërhyrje të Lucas Digne brenda zonës, ndërsa Mikel Oyarzabal është treguar i saktë nga pika e bardhë, duke mposhtur portierin Mike Maignan për 1:0.
Para përfundimit të pjesës së parë, spanjollët i janë afruane edhe golit të dytë, por tentativa e Fabian Ruiz është bllokuar nga mbrojtja franceze.
Në pjesën e dytë, Spanja ka vazhduar ta kontrollojë lojën dhe e ka dyfishuar epërsinë në minutën e pesëdhjetë e tetë. Dani Olmo ka asistuar për Pedro Porron, i cili ka realizuar me goditjen e parë për rezultatin 2:0.
Në minutën e gjashtëdhjetë e një, Lamine Yamal e ka dërguar topin në rrjetë, por goli është anuluar për pozitë jashtë loje.
Franca është përpjekur të rikthehet në lojë, por nuk ka arritur të krijojë raste të mjaftueshme për ta rrezikuar seriozisht portën spanjolle. Rasti më i mirë ka ardhur në minutën e tetëdhjetë e një, kur Desire Doue e ka provuar me një goditje të fortë nga distanca, por portieri i Spanjës ka reaguar me një pritje të mirë.
Edhe Ferran Torres ka qenë pranë golit të tretë për Spanjën në minutën e shtatëdhjetë e tetë, por goditja e tij me kokë ka përfunduar ngushtë pranë shtyllës së majtë.
Me këtë fitore, Spanja siguron një vend në finalen e madhe të Kampionatit Botëror, ku do të përballet me fituesin e gjysmëfinales tjetër mes Argjentinës dhe Anglisë, e cila zhvillohet të mërkurën.
