Kos e tronditur me deklaratën e ministres serbe për pastrim etnik në Kosovë
Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, tha është e tronditur nga deklarata e ministres serbe për pastrim etnik të Kosovës dhe se shpreson që kjo të mos jetë qëndrim i qeverisë së Serbisë por një deklaratë individuale.
“Mund të ketë vetëm zero tolerancë për deklarata të tilla çfarë kemi dëgjuar. Dhe nuk ka vend në Evropë për retorikën që justifikon, avokon apo glorifikon pastrimin etnik. Unë jam personalisht e tronditur se kjo fare duhet të thuhet në këtë situatë. Deklarata e tilla janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me vlerat dhe dinjitetin njerëzor, pajtimin e nevojshëm, llogaridhënien dhe raportet e mira ndërfqinjësore mbi të cilat themele është ndërtuar BE-ja e pa të cilat procesi i anëtarësimit nuk mund të ndodhë“ tha Kos sot në një konferencë për shtyp në Bruksel pas mbylljes së dy kapitujve të negociatave të anëtarësimit me Malin e Zi.
Sipas saj, këto janë edhe në kundërshtim me obligimet e Serbisë nga dialogu i lehtësuar nga BE për normalizimin e raporteve me Kosovën.
“Unë vetëm mund të supozoj se këto janë qëndrime të një ministre dhe nuk paraqesin qëndrimin e qeverisë së Serbisë. Presim nga liderët politikë që të veprojnë me përgjegjësi, të përmbahen nga gjuha nxitëse dhe të kontribuojnë për ndërtimin e besimit, pajtimit dhe stabilitetit në rajon“, ka thënë Kos.
