Trajneri i Malishevës beson te përmbysja ndaj Vllaznisë: Mund të fitojmë

Pas humbjes 2-1 në ndeshjen e parë në stadiumin “Loro Boriçi”, Malisheva kërkon përmbysjen ndaj Vllaznisë në sfidën e kthimit të raundit të parë kualifikues të Conference League.

Malisheva dhe Vllaznia do të përballen nesër pasdite në ‘Fadil Vokrri’, duel që do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK.

Trajneri i Malishevës, Tomas Brdariç, është optimist para përballjes së dytë dhe beson se skuadra e tij ka forcën për ta kthyer rezultatin në favor të saj.

“Jemi të bindur që mund të fitojmë këtu në Kosovë. Përgatitjet kanë qenë të duhura dhe kemi gjithçka që na nevojitet. Jemi përgatitur mirë në stërvitje”, ka thënë Brdariç.

Tekniku gjerman ka theksuar se skuadra duhet të mësojë nga gabimet e ndeshjes së parë dhe të mos ndikohet nga rezultati negativ në Shkodër.

“Nuk duhet të dëshpërohemi nga humbja e ndeshjes së parë, por të mësojmë shpejt. Kemi bërë analizën tonë dhe kemi punuar në disa aspekte. Është një proces dhe e shohim si një mundësi për t’u rritur”, është shprehur ai.

Brdariç ka vlerësuar kundërshtarin, por ka theksuar se edhe Malisheva ka cilësi për të luftuar për kualifikimin.

“Vllaznia është një skuadër me shumë traditë dhe e kemi marrë shumë seriozisht. E respektojmë, por edhe ne kemi një ekip shumë të mirë”, ka shtuar trajneri i Malishevës.

Ndeshja Malisheva – Vllaznia zhvillohet nesër nga ora 16:30. 


Go to TOP