​Vuçiq; Nëse do të donim të ishim pjesë e NATO-s, do të na pranonin nesër

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë të martën se vendi i tij do të pranohej menjëherë në NATO, nëse do të dëshironte t’i bashkohej asaj.

Ai shtoi se kjo nuk do të ndodh meqenëse Beogradi zyrtar synon të ruajë neutralitetin ushtarak, që nënkupton edhe bashkëpunimin me praninë e Aleancës Veriatlantike në Kosovë.

“Nëse do të donim të ishim pjesë e NATO-s, do të na pranonin menjëherë. Por pyetja është nëse ne e duam këtë? Do ta avancojmë bashkëpunimin me KFOR-in dhe të tjerët, por zgjedhja jonë është të jemi ushtarakisht neutralë”, u tha Vuçiq gazetarëve në Paris, ku mori pjesë në paradën ushtarake me rastin e festës kombëtare të Francës, transmeton Danas.

Ai tha që si president i Serbisë do të vazhdojë të ndjekë politikën e neutralitetit ushtarak, sepse nuk dëshiron ta përfshijë vendin e tij në konflikte dhe synon të ruajë paqen dhe stabilitetin.

Vuciq deklaroi që nëse ka ndonjë parti ose politikan në Serbi që mendon ndryshe, atëherë ai, sipas tij, duhet të matet në zgjedhje.

“Edhe pse ndonjëherë për këtë na shohin me sy të keq dhe si një ‘derrkuc i trembëdhjetë’ (i tepërt dhe i padëshiruar). Por, nëse dikush dëshiron të ndjekë një politikë tjetër, së shpejti do të ketë mundësinë ta kandidojë atë në zgjedhje”, tha ai.

Duke iu përgjigjur pyetjes në lidhje me kritikat që iu bënë pse ai nuk ishte pjesë e fotografisë së përbashkët në takimin e Koalicionit të të Vullnetshmëve në Paris, të hënën, Vuçiq tha se kjo është e logjikshme, pasi “nuk pranoi që Serbia të bëhej pjesë e atij koalicioni”.

“Po ta kisha pranuar, do të isha menjëherë pranë (presidentit francez) Emmanuel Macron dhe (kancelarit gjerman) Friedrich Merz, të cilët e themeluan atë koalicion”, u shpreh Vuçiq.

Presidenti serb ka pranuar se të mërkurën do të jetë në Kiev, për të marrë pjesë në Samitin Evropa Juglindore – Ukraina.

Shteti i tij është ndër vendet e vetme të Evropës që nuk ka pranuar t’i vejë sanksione Rusisë, për shkak të luftës që ka nisur kjo kundër Ukrainës, më 2022. Vetë Vuciq ruan një miqësi të mirë me presidentin nga Kremlini, Vladimir Putin.


Go to TOP