Vaji i palmës në produktet e qumështit: Çfarë duhet të dimë?

Kontrollet e fundit në industrinë e qumështit në Kosovë kanë rikthyer debatin për atë se çfarë përmbajnë qumështi dhe produktet e tij që shiten në treg.

Qumështi pluhur, vaji i palmës dhe yndyra të tjera bimore janë përmendur në diskutimet e fundit për sigurinë e produkteve të qumështit në vend.

Në podkastin 5 pyetje të Radios Evropa e Lirë, Salih Salihu, profesor i Teknologjisë Ushqimore, tha se konsumatorët e kanë të vështirë ta dallojnë përmes shijes nëse një produkt përmban vaj palme.

Sipas tij, mënyra kryesore që konsumatori të informohet është përmes etiketës së produktit.

Salihu tha se përdorimi i vajit të palmës mund të lidhet, ndër të tjera, edhe me përpjekjet e përpunuesve për ta rritur përqindjen e yndyrës në produktet e qumështit.

“[Kur] nuk ka mundësi ta arrijnë këtë vlerë yndyrore për shkak se qumështi është shumë i hollë… atëherë i rrisin sasitë e yndyrës përmes vajit të palmës për ta arritur objektivin prej 3.2%”, tha ai.

Sipas Salihut, vaji i palmës si përbërës ushqimor nuk është domosdoshmërisht i ndaluar, por problemi qëndron te sasia e përdorur dhe te mënyra se si deklarohet në etiketë.

“Nuk mund të thuash që nuk bën. Pra, vaji i palmës është vaj bimor”, tha Salihu, duke shtuar se përdorimi i tepruar mund të ketë pasoja për shëndetin.

“Ka vitaminë A, ka vitaminë E, që kanë shumë rol të rëndësishëm për shikim, për ngjyrë të lëkurës, për mbrojtjen e membranave qelizore e kështu me radhë, janë të shëndetshme. Por, nëse teprohen, përdoret në sasi shumë më të mëdha, vjen deri te krijimi i gurëve apo i pllakave në enët e gjakut, ku pastaj mund deri të pësojë me sulme në zemër apo edhe sëmundje të tjera me qarkullimin e gjakut”, tha Salihu për REL-in.

A ka Kosova rregulla të qarta?

Në legjislacionin në fuqi nuk ka një kufi të veçantë që përcakton se në çfarë sasie mund të përdoret vaji i palmës në produktet ushqimore.

Sipas një rregulloreje të Bashkimit Evropian, produkte të qumështit konsiderohen ato produkte që nxirren nga qumështi dhe që gjatë prodhimit të tyre nuk është shtuar asnjë substancë që zëvendëson një përbërës të qumështit.

Madje termat si “djathë”, “kos”, “gjalpë” rezervohen vetëm për produkte nga qumështi, e që nuk lejohet të përdoren për produkte që kanë të shtuara yndyra bimore për t’i zëvendësuar yndyrat shtazore të qumështit.

Në podkastin 5 pyetje, Salihu tha se edhe në Kosovë produktet që përmbajnë vaj palme duhet të jenë të ndara dhe të deklaruara qartë.

I pyetur nëse në tregun e Kosovës mund të ketë produkte që në paketim shkruajnë një gjë, ndërsa në përmbajtje kanë diçka tjetër, Salihu tha se ky rrezik ekziston.

Për këtë arsye, sipas Salihut, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë duhet të bëjë kontrolle të rregullta, jo vetëm kur një rast bëhet publik apo kur krijohet debat.

Salihu e lidhi përdorimin e përbërësve shtesë edhe me problemet e sektorit të qumështit në Kosovë, duke përmendur konkurrencën nga produktet e importuara dhe kostot e larta të prodhimit.

“Është shumë më lehtë të bësh një produkt me qumësht pluhur sesa të mbash 100 krerë gjedhe dhe disa punëtorë për të prodhuar atë qumësht”, tha ai.


Go to TOP