AKB përfaqëson Kosovën në forumin e BE-së, ILO-s dhe ETF-së për punësimin e të rinjve në Bruksel
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) është organizata e vetme e punëdhënësve nga Kosova që po merr pjesë në aktivitetin ndërkombëtar “Peer Learning Activity”, të organizuar nga Bashkimi Evropian (BE), Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) dhe European Training Foundation (ETF), që po zhvillohet në Bruksel.
Në këtë forum marrin pjesë përfaqësues të qeverive, organizatave të punëdhënësve, sindikatave dhe partnerëve socialë nga vendet e Bashkimit Evropian, Ballkani Perëndimor, Ukraina, Moldavia dhe Maroku.
AKB përfaqësohet nga kryetari Agim Shahini, i cili theksoi se përzgjedhja e organizatës për këtë aktivitet përbën një vlerësim të rëndësishëm për rolin e saj në dialogun social dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Sipas Shahinit, përvojat dhe praktikat më të mira evropiane të prezantuara në Bruksel do të përcillen dhe promovohen edhe në Kosovë, me synim krijimin e më shumë mundësive për punësimin e të rinjve dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe sektorit privat.
AKB vlerëson se pjesëmarrja në këtë aktivitet forcon pozitën e Kosovës në dialogun evropian për tregun e punës dhe dëshmon rëndësinë e organizatave të punëdhënësve në hartimin dhe zbatimin e politikave për zhvillim ekonomik dhe punësim të qëndrueshëm. /Kosova.info/
