​Dy persona gjenden pa shenja jete në Prizren, policia jep detaje

Dy persona janë gjetur pa shenja jete gjatë ditës së sotme në rajonin e Prizrenit, ndërsa Policia e Kosovës ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të vdekjes së tyre.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili bëri të ditur se të dy rastet, bazuar në informacionet fillestare dhe rrethanat e evidentuara në vendin e ngjarjes, dyshohet të jenë vetëvrasje.

“Sot, më datë 05.07.2026, në rajonin e Prizrenit janë raportuar dy raste të personave të gjetur pa shenja jete, për të cilat janë iniciuar hetime”, ka deklaruar Bytyqi.

Rasti i parë është raportuar rreth orës 15:40, kur Policia ka pranuar informatën se në një banesë në rrugën “Turgut Özal” në Prizren ndodhej një person pa shenja jete. Patrulla policore dhe ekipi i Emergjencës kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku është konstatuar vdekja e viktimës.

Sipas Bytyqit, viktima është një grua rreth 54-vjeçare dhe, bazuar në rrethanat e para të evidentuara në vendin e ngjarjes, dyshohet se ka kryer vetëvrasje.

Rasti i dytë është raportuar rreth orës 17:50, pasi një zyrtar policor ka njoftuar se në një zonë pyjore në fshatin Restelicë të Dragashit është gjetur një person pa shenja jete. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe ekipi i Emergjencës, të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës.

“Sipas informacioneve fillestare, viktima është mashkull, rreth 68 vjeç. Bazuar në rrethanat e para të evidentuara në vendin e ngjarjes, dyshohet se viktima ka kryer vetëvrasje. Për të dy rastet është njoftuar prokurori kompetent, me autorizimin e të cilit kanë filluar veprimet hetimore. Me urdhër të prokurorit, trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion. Të dy rastet janë iniciuar dhe po hetohen si ‘Hetim i vdekjes’”, ka deklaruar Bytyqi.

Go to TOP