Klopp pranë Gjermanisë: Jam gati për një sfidë të re
Emërimi i Jurgen Klopp si përzgjedhës i ri i kombëtares së Gjermanisë po bëhet gjithnjë e më i mundshëm, teksa negociatat mes palëve janë intensifikuar në ditët e fundit.
Sipas medieve të huaja, trajneri gjerman është në bisedime të drejtpërdrejta me Federatën Gjermane të Futbollit (DFB), e cila po kërkon pasuesin e ri pas largimit të Julian Nagelsmann. Megjithatë, finalizimi i marrëveshjes varet edhe nga diskutimet me klubin e tij aktual në strukturën e Red Bull.
Klopp ka konfirmuar se procesi është përshpejtuar dhe se palët janë në fazë negociatash intensive.
“Gjithçka është përshpejtuar. DFB është në kontakt me mua, por ka ende çështje që duhet të zgjidhen. Duhet të flas edhe me punëdhënësin tim aktual, Oliver Mintzlaff,” është shprehur Klopp.
Ai ka shtuar se situata pritet të qartësohet së shpejti, duke theksuar se ekziston vullnet për dialog nga të gjitha palët e përfshira.
Trajneri 59-vjeçar ka lënë të kuptohet se është i gatshëm për një kapitull të ri në karrierë, duke theksuar se ndihet i rikuperuar dhe i motivuar për një projekt të madh.
“Jam pushuar mjaftueshëm dhe ndihem gati për një sfidë të re. Jam plot energji. Futbolli gjerman është në një moment të vështirë dhe kërkon ndryshime të rëndësishme,” ka deklaruar ai.
Sipas tij, përfaqësuesja gjermane ndodhet në një fazë transformimi dhe kërkon një qasje të re për të rikthyer stabilitetin dhe suksesin në arenën ndërkombëtare.
Në ditët në vijim pritet të ketë zhvillime vendimtare rreth marrëveshjes mes Klopp, DFB dhe strukturës së Red Bull.
