Gjykata cakton paraburgim ndaj nëntë të pandehurve për disa vepra penale
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, njofton se ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj nëntë të pandehurve.
Sipas vendimit të gjyqtarit të procedurës paraprake, të pandehurit F.M., F.M., S.K., N.B., D.M., A.M., M.M., N.M. dhe G.Q., dyshohen për kryerjen e veprave penale “Shpëlarja e parave”, “Kontrabandimi i mallrave në bashkëkryerje”, “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Falsifikimi i parasë”.
Gjykata, pas mbajtjes së seancës dëgjimore, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale dhe ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji për secilin nga të pandehurit.
Në arsyetimin e vendimit, gjykata ka vlerësuar se ekziston rrezik real që të pandehurit, nëse lihen në liri, mund të arratisen për t’iu shmangur përgjegjësisë penale dhe të pengojnë rrjedhën e procedurës penale. Po ashtu, sipas gjykatës, ekziston rreziku që të njëjtit të vazhdojnë komunikimet dhe bashkëpunimin për kryerjen e veprave të reja penale.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.
