Oda e Avokatëve demanton raportimet për vonesën e rezultateve: Procesi po zhvillohet sipas rregullores në fuqi
Oda e Avokatëve e Kosovës (OAK) ka reaguar ndaj raportimeve për kinse vonesën në shpalljen e rezultateve të Provimit nga Kodi i Etikës Profesionale duke i cilësuar ato si të pasakta dhe të mbështetura në një rregullore që nuk është më në fuqi.
Në reagimin e saj, OAK thekson se kandidatët ishin njoftuar që në ditën e provimit se, për shkak të numrit të madh të pjesëmarrësve dhe standardeve të larta të verifikimit, publikimi i rezultateve do të kërkonte më shumë kohë se zakonisht.
Sipas Odës, çdo test po i nënshtrohet një procesi të detajuar vlerësimi dhe verifikimi në dy faza, përfshirë kontrollin e ndërsjellë, me qëllim garantimin e saktësisë, trajtimit të barabartë dhe objektivitetit për secilin kandidat.
OAK gjithashtu sqaron se rregullorja e cituar në raportim është shfuqizuar dhe është zëvendësuar me Rregulloren e miratuar më 15 prill 2025, e cila parasheh që rezultatet të publikohen “brenda një afati të arsyeshëm kohor”, pa përcaktuar afat të pandryshueshëm kalendarik.
Në fund, Oda bën të ditur se ceremonia e betimit dhe regjistrimi i kandidatëve si avokatë nuk do të zhvillohen deri në publikimin e rezultateve përfundimtare dhe përfundimin e afatit për ankesa duke ritheksuar përkushtimin për një proces të ligjshëm, transparent dhe profesional. /Kosova.info/
